PE miraton raportin për Shqipërinë, vlerësohen reformat kyce, kërkohet vijimi i punës me “Zgjedhoren”

Është votuar me 58 vota pro, 7 kundër dhe 7 abstenim raporti i Parlamentit Evropian për Shqipërinë.
Në dokumetin e përgatitur nga Raportuesi për Shqipërinë Andreas Schieder, vlerësohet progresi i vendit në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe theksohet rëndësia e reformave të mëtejshme për të garantuar një anëtarësim të qëndrueshëm dhe të suksesshëm.
“Dua të nënvizoj se Shqipëria konsiderohet si një nga dy vendet kryesuese në procesin e zgjerimit. Këtë jemi përpjekur ta pasqyrojmë edhe në këtë raport, por përtej çështjeve të trajtuara në raportin e Komisionit, kemi dashur të theksojmë edhe disa elemente të tjera, konkretisht që reformat duhet të reflektohen edhe në jetën e përditshme të qytetarëve. Veçanërisht jemi përpjekur të vendosim fokus edhe te situata sociale në Shqipëri”, tha Schieder.
Megjithatë, Parlamemnti Evropian thekson se duhen reforma edhe më të thella dhe më të qëndrueshme, të cilat janë thelbësore për forcimin e institucioneve demokratike dhe për përmbushjen e kërkesave të BE-së.
Një çështje kyçe konsiderohet nevoja për vijimin e punës në përmirësimin e sistemit zgjedhor, bazuar në rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias.
Shqipëria ka hapur të gjitha grupkapitujt e negociatave për anëtarësimin brenda 13 muajsh dhe ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për reformën në drejtësi me vlerësim të veçantë punën e SPAK-ut./vizionplus.tv


