“Përballje me drejtësinë”/ Masat për sezonin veror, Drejtori i Policisë së Shtetit prezanton masa të ‘hekurta’: Kush…

Aktualitet

“Përballje me drejtësinë”/ Masat për sezonin

Çdo person që shkakton zjarr gjatë verës, qoftë me dashje apo nga pakujdesia, do të përballet me ligjin.

Paralajmërimi u dha nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, gjatë aktivitetit për prezantimin e masave për përballimin e situatës së zjarreve dhe koordinimin e institucioneve për emergjencat verore.

Sipas Hitës, Policia ka nisur kontaktet me administratorët e njësive administrative dhe në vijim do t’u dërgojë njoftime të gjithë blegtorëve që përdorin kullota dhe territore të caktuara, duke i bërë të qartë se në rast zjarri do të mbajnë përgjegjësi për zonat që administrojnë.

“Tashmë fillon sezoni i verës dhe rreziku për rënie të zjarreve është shumë më i madh. Policia e Shtetit ka filluar punën më herët në drejtim të marrjes së masave parandaluese.

Kemi filluar të marrim kontakt me administratorët e njësive administrative, si dhe do t’iu dërgohet njoftim të gjithë blegtorëve, për territorin që kanë marrë në përdorim, se në rast se bie zjarr, ata janë përgjegjës për atë territor. Jemi të vendosur për të çuar para drejtësisë të gjithë ata që me dashje apo nga pakujdesia, shkaktojnë zjarr duke rrezikuar jetën dhe pronën e qytetarëve.”, deklaroi Hita.

Kreu i Policisë së Shtetit theksoi se me nisjen e sezonit veror rreziku për zjarre shtohet ndjeshëm, ndaj bashkëpunimi mes Policisë, shërbimit zjarrfikës, Emergjencave Civile dhe pushtetit vendor mbetet vendimtar për reagimin e shpejtë dhe minimizimin e pasojave.

Sipas tij, çdo minutë e fituar në ndërhyrje mund të shmangë pasoja të rënda për jetën, pronën dhe mjedisin.

“Në përfundim dua të shpreh vlerësim për çdo efektiv zjarrfikës që shpesh në kushte të vështira dhe përballë rrezikut real, vijon të kryejë detyrën me dinjitet dhe përgjegjësi të lartë, bashkërisht me punonjësit e Policisë së Shtetit. Ky është misioni ynë fisnik, t’iu shërbejmë qytetarëve në çdo situatë, duke rrezikuar dhe jetët tona” përfundoi Hita.

ME TE LEXUARAT