Siguruan kushtet për vrasje, GJKKO dënon me burg Florenc Çapjan dhe dy të tjerë

Aktualitet

Siguruan kushtet për vrasje, GJKKO dënon me burg Florenc Çapjan

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka dënuar me nga 4 vite burg Florenc Çapjan, Elvin Merlikën dhe Alket Xhixhën, pasi i gjeti fajtorë për vepra penale të lidhura me sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjeve, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.

Sipas vendimit të dhënë më 2 qershor 2026 nga trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Kujtim Vraniçi, Rudina Palloj dhe Marinela Osmani, të tre të pandehurit u gjykuan me procedurë të shkurtuar, shkruan A2CNN.

Fillimisht, gjykata caktoi ndaj secilit prej tyre një dënim prej 6 vitesh burg për veprën penale të “Sigurimit të kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, si dhe 2 vite burg për akuzën e “Grupit të strukturuar kriminal”. Pas bashkimit të dënimeve, secili u dënua me 6 vite burg, ndërsa për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi u ul me një të tretën, duke u caktuar përfundimisht në 4 vite burg.

Sipas vendimit, Florenc Çapja u shpall fajtor për sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për vrasjen e shtetasit me iniciale S.S., ndërsa Elvin Merlika dhe Alket Xhixha për sigurimin e kushteve dhe mjeteve për vrasjen e shtetasit me iniciale I.D.

Gjykata vendosi që dënimi të vuhet në një institucion të sigurisë së lartë dhe të llogaritet nga data e arrestimit të secilit prej të dënuarve.

ME TE LEXUARAT