Anxhela Paparizo thyen heshtjen pas shkarkimit nga QSUT: Ngritëm një linjë për denoncimin e korrupsionit

Anxhela Paparizo është liruar sot nga detyra si drejtoreshë e QSUT-së.
Ajo do të zëvendësohet nga Rudina Degjoni.
Paparizoi reagoi me anë të një postimi në rrjetet sociale, duke shkruar:
Të dashur miq, bashkëpunëtorë, kolegë,
Teksa mbyll këtë kapitull të rëndësishëm në drejtimin e QSUT-së, dua t’ju falënderoj nga zemra për mbështetjen, profesionalizmin dhe përkushtimin që keni treguar çdo ditë. Çdo sukses i arritur gjatë kësaj periudhe është rezultat i punës sonë të përbashkët dhe i përpjekjeve të një ekipi të jashtëzakonshëm.
Së bashku arritëm të realizojmë me sukses dy rastet e para të implementimit të protezës së gjirit, duke hapur një kapitull të ri për trajtimin dhe rehabilitimin e pacienteve tona. Krijuam Qendrën e Gjirit. Organizuam me sukses Konferencën e Neurologjisë, një aktivitet i rëndësishëm shkencor dhe profesional. Rikonstruktuam Punktin e Kimioterapisë dhe përmirësuam planifikimin e konsultave onkologjike, duke ofruar më shumë dinjitet dhe efikasitet për pacientët.
Gjatë kësaj periudhe nisëm punimet për godinën e re të shërbimit të Djegie-Plastikës, menaxhuam me sukses fushatën e vaksinimit për stafin mjekësor, ulëm ndjeshëm radhët e pritjes për shërbimet e imazherisë dhe siguruam plotësimin e listës së barnave për përdorim spitalor.
Forcuam kapacitetet e shërbimeve tona përmes shtimit të një salle të dedikuar për anestezinë në Onkopediatri, vumë në funksion kabinetin e ri të audiometrisë në fushë të hapur dhe kabinetin e testimit vestibular, i vetmi në sistemin publik shëndetësor në Shqipëri. Gjithashtu, krijuam një linjë të dedikuar për denoncimin e rasteve të korrupsionit, në funksion të transparencës dhe llogaridhënies.
Në fushën klinike realizuam me sukses provën klinike me atropinë për trajtimin e miopisë tek fëmijët, rikthyem në funksion ekipet multidisiplinare (tumorbordet), shtuam dy injeksione të reja intravitreale për pacientët që rrezikojnë humbjen e shikimit nga diabeti, vumë në funksion vitrektominë dhe realizuam rastet e para me këtë metodë moderne trajtimi.
Po ashtu, vumë në funksion akseleratorin e tretë për trajtimet onkologjike, mbështetëm zhvillimin e metodave të reja miniinvazive kardiake dhe nisëm aplikimin e injeksioneve për ruajtjen e shikimit tek bebet premature, duke sjellë mundësi të reja trajtimi për pacientët më vulnerabël.
Paralelisht me këto zhvillime, hartuam dhe miratuam 38 protokolle pune, forcuam bashkëpunimin me shefat e shërbimeve, realizuam 309 kostifikime për një menaxhim më të saktë financiar dhe institucional, si dhe riaplikuam për procesin e vetëmenaxhimit spitalor, një hap i rëndësishëm drejt rritjes së autonomisë dhe përgjegjshmërisë së institucionit.
Këto arritje dhe shume te tjera qe nuk janë listuar këtu, nuk i përkasin një drejtori apo një individi. Ato janë fryt i përkushtimit të mjekëve, infermierëve, teknikëve, personelit mbështetës, administratës dhe çdo punonjësi të QSUT-së që ka kontribuar me profesionalizëm dhe përgjegjësi.
Largohem me krenari për atë që kemi ndërtuar së bashku dhe me besimin e plotë se QSUT-ja do të vazhdojë të ecë përpara, duke u zhvilluar çdo ditë në shërbim të pacientëve dhe të sistemit shëndetësor shqiptar.
Faleminderit për besimin, bashkëpunimin dhe mbështetjen tuaj. Do ta konsideroj gjithmonë privilegj që kam qenë pjesë e këtij rrugëtimi me ju.
Me respekt dhe mirënjohje, Anxhela!


