Premtoi se shëronte kancerin e lëkurës, si “Klinika Stroka” rrezikoi jetën e 35-vjeçarit në Tiranë

Në vitet e fundit, rastet e kancerit të lëkurës në Shqipëri janë shtuar ndjeshëm. Shkaqet janë të ndryshme dhe lidhen me një sërë arsyesh, që nga gjenetika, ekspozimi ndaj diellit e deri te shtimi i ndotësve në ambient.
Por le t’i lëmë mënjanë shkaqet dhe të kërkojmë të kuptojmë se cilat janë format për të kuruar këtë sëmundje, e cila në gjuhën e mjekësisë njihet si melanoma.
Sepse, në protokollet mjekësore, kurimi i gabuar i saj mund të jetë sinjali i parë për një sëmundje vdekjeprurëse. Ndaj për këtë na duhet t’ju sjellim rastin e dhimbshëm të një 35-vjeçari nga Tirana, i cili ka pranuar ta ndajë me ne historinë e keqmjekimit nga njëra prej klinikave të shumta që marrin përsipër të trajtojnë raste të tilla kaq delikate.
Një kalvar i gjatë shëndetësor do të niste pas një nishani në krahun e majtë, i cili filloi të ndryshonte.
Dhe për këtë ai iu drejtua Klinikës Stroka, e cila prej vitesh reklamon trajtimin e kancerit të lëkurës dhe të nishaneve pa rreze dhe pa bisturi, por me mjekësi alternative.
Një kurë pa formulë të deklaruar, pa certifikim dhe pa asnjë dokument zyrtar që të vërtetojë efikasitetin e saj. Fakte që, sidoqoftë, nuk janë marrë në konsideratë nga i riu.
E përsërisim, të riut iu ofrua një formulë 100-vjeçare e mjekimit të kancerit, e pakonsultuar me mjekësinë bashkëkohore, por që për doktor Laverin ishte më e mira e mundshme. Pavarësisht kësaj, i shqetësuar për gjendjen e tij, 35-vjeçari vendos t’i besojë kurës sekrete të këtyre dy mjekëve.
Në ato momente të vështira dhe i pasigurt se çfarë po ndodhte me shëndetin, të riut nuk i shkonte aspak në mend të interesohej për aftësitë e dy mjekëve që kishin marrë përsipër kurimin e tij. Seanca e parë do të zgjaste vetëm 15 minuta.
Asnjë analizë paraprake, asnjë ekzaminim imazherik, jashtë çdo protokolli mjekësor, duke u bazuar vetëm në një kontroll vizual.
Praktikë kjo që ngre pikëpyetje serioze për metodat e kësaj klinike. Përtej ngarkesës psikologjike, i riu duhej t’i përgjigjej edhe kërkesës financiare të dy mjekëve, e cila, pas zbulimit të diagnozës, ishte dyfishuar.
Ndërkohë që pagesat u kryen dhe i riu dyshon për kurën e implementuar nga dy mjekët, ai vendos të shkojë në një klinikë tjetër, për më tepër sepse gjendja e tij shëndetësore po përkeqësohej. Nga analizat dhe të gjitha procedurat e tjera të kryera, 35-vjeçari tronditet nga rezultatet që mëson.
Dy biopsi, i njëjti material i lëkurës dhe dy rezultate krejt të ndryshme.
I gjithë ky kalvar me ngarkesa psikologjike, por edhe me vuajtje fizike, e kishte një kosto aspak modeste për xhepin e pacientit, i cili pak kohë më vonë do të rikthehej në Klinikën Stroka për të tërhequr pagesën e dytë prej 1500 eurosh, e cila ishte dhënë për trajtimin e melanomës. Shërbim që nuk e kishte marrë, pasi kishte ndërprerë raportet me dy mjekët, duke i besuar një klinike në Itali.
Ndërkohë që bisedon me mjekun Laver Stroka për atë që kishte ndodhur dhe problemet që ai i kishte shkaktuar, biseda nuk shkon ashtu siç ai e priste. Doktor Stroka tregohet i prerë: lekët nuk do të kthehen mbrapsht, edhe pse në një rast të ngjashëm, e në një vend normal me rregulla e ligje, nuk do të mjaftonin lekët e një banke për të dëmshpërblyer një pacient të keqmjekuar.
“Biseda kalon në tone të larta, ndërsa përfshihet në debat edhe Afërdita Stroka. Ndërkohë mësohet se doktor Stroka nuk ka asnjë lidhje me onkologjinë, pasi është mjek i përgjithshëm. Që do të thotë se mjeku në fjalë është i jashtëligjshëm në ushtrimin e profesionit për këtë fushë specifike. Edhe Dr. Afërdita Stroka, ashtu si i ati, është e regjistruar si mjeke e përgjithshme, me leje për ushtrimin e profesionit nr. 599, datë 13.12.2021, e cila është aktualisht aktive.”
Pra, dy mjekë të përgjithshëm që, jashtë etikës profesionale dhe pa respektuar asnjë protokoll mjekësor, kryejnë në mes të Tiranës mjekësi alternative për një sëmundje që ka të drejtë ta trajtojë vetëm onkologu dhe dermatologu.
Por le ta pyesim njëherë vetë doktor Laverin për metodat “sekrete” të Klinikës Stroka, e cila vijon e pashqetësuar aktivitetin e saj. Në përballje, mjeku na thotë se ky medikament është në studim, është i trashëguar nga paraardhësit e tij dhe ai ia ka trashëguar vajzës.
Për sa i përket licencës, ai thotë se mjekësinë alternative e bën vetëm një mjek i përgjithshëm.
Dhe rezultati i djalit të ri, sipas tij, ka ardhur nga dëshira e vetë pacientit për të mos u trajtuar në atë klinikë. /Piranjat.news


