Prokuroria ‘i shkon’ në zyrë Sakos, sekuestrohen dosjet për argjinaturën e Erzenit

Aktualitet

Prokuroria ‘i shkon’ në zyrë Sakos, sekuestrohen dosjet

Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet për ndërhyrjet e kryera në argjinaturën e lumit Erzen, pas përmbytjeve masive që goditën zonën dhe shkaktuan pasoja të rënda, përfshirë edhe humbjen e një jete njerëzore.

Në kuadër të këtij hetimi, organi i akuzës ka sekuestruar dokumentacionin e Bashkisë së Durrësit që lidhet me projektin e rehabilitimit të argjinaturës së lumit Erzen. Bëhet fjalë për dosjen e plotë të procedurave të prokurimit, zbatimit dhe marrjes në dorëzim të punimeve.

Përmbytjet ndodhën pas daljes së lumit Erzen nga shtrati, duke prekur rëndë disa zona të Durrësit, konkretisht fshatrat Katund i Ri, Katund Sukth dhe Fllakë, ku u raportuan dëme të shumta materiale dhe situatë e rëndë për banorët.

Hetimet janë regjistruar pas situatës katastrofike të krijuar nga përmbytjet, të cilat, përveç dëmeve të mëdha, shkaktuan edhe një viktimë. Për këtë arsye, Prokuroria e Durrësit po heton për tre vepra penale:

“Shpërdorim detyre”, “Shkatërrim prone me përmbytje” dhe “Shkatërrim prone nga pakujdesia”.

Sipas vendimit të Prokurorisë, është urdhëruar sekuestrimi në Bashkinë e Durrësit i:

dokumentacionit të procedurës së prokurimit, zbatimit dhe marrjes në dorëzim për objektin “Rehabilitim i argjinaturës, ngritja e bankinës dhe sistemimi i argjinaturës së lumit Erzen”;

dokumentacionit tekniko-ligjor të procedurës së lejes së ndërtimit për të njëjtin objekt.

Një kopje e vendimit të sekuestrimit i është vënë në dispozicion personit përgjegjës pranë Bashkisë së Durrësit, ndërsa veprimet janë kryer nga oficeri i policisë gjyqësore Erind Gjoni. Për çdo veprim është hartuar procesverbali përkatës, i cili i është bashkëngjitur fashikullit hetimor.

Në vendim theksohet gjithashtu se kundër këtij urdhri mund të bëhet ankim në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës nga personat apo subjektet të cilëve u janë sekuestruar dokumentet, vendim që mban firmën e prokurores së çështjes, Suela Beluli.

ME TE LEXUARAT