U helmuan nga rrjedhja e gazit, zbulohen identitetet e katër anëtarëve të familjes shqiptare që humbën jetën në Itali

Një ngjarje tragjike ka tronditur komunitetin shqiptar në Lucca, Itali, ku katër anëtarë të familjes Kola humbën jetën pas një helmimi me monoksid karboni. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së mërkurës, më 4 shkurt 2026, dhe dyshohet se shkaku ka qenë një defekt në kaldajën e banesës trekatëshe të familjes.
Viktimat janë: Arti Kola, 48 vjeç, bashkëshortja e tij Jonida, 42 vjeçe, dhe dy fëmijët e tyre, Hajdar, 23 vjeç dhe Xhesika, 15 vjeçe. Një person i pestë, vëllai i kryefamiljarit, u lëndua dhe është në gjendje të rëndë shëndetësore, por po merr trajtim në spital. Po ashtu, dy karabinierë që mbërritën për të ofruar ndihmën e parë, pësuan intoksikim të lehtë nga gazrat, por janë jashtë rrezikut për jetën.
Sipas autoriteteve italiane, tragjedia ndodhi rreth orës së darkës. Ekipet e shpëtimit hynë në banesë dhe gjetën tryezën të shtruar, që tregon se familja po përgatitej për darkë kur ndodhi ngjarja e rëndë. Alarmimi u bë nga vëllai i kryefamiljarit, i cili, pasi nuk mori përgjigje pas trokitjeve të shumta, njoftoi karabinierët.
Kur forcat e rendit hynë në banesë, ata zbuluan katër trupa të pajetë të shtrirë në dysheme. Pas ndërhyrjes, edhe njëri prej familjarëve të mbetur humbi ndjenjat për shkak të gazit, por u shpëtua dhe u transportua menjëherë në spitalin Cisanellos.
Hetuesit kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkakun e rrjedhjes së gazit dhe për të zbardhur të gjitha rrethanat e kësaj tragjedie që ka lënë të gjithë të shokuar dhe të tronditur.


