“Rama më i dobët se kurrë, protestat e kanë tronditur”! Aktivisti: Qytetarët nuk kërkojnë më selfie, por llogaridhënie

Aktualitet

“Rama më i dobët se kurrë, protestat e kanë

Protesta popullore e ka dobësuar në mënyrë të dukshme kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë e tij dhe nëse rezistenca do të vijojë më tej, ai do dobësohet edhe më tepër, deri në rrëzimin e tij përfundimtar.

Kështu u shpreh sot nga studio e televizionit News24, aktivisti Migen Qiraxhi. Ai vuri në dukje se dy partitë e mëdha kanë krijuar koracën e të fortëve, ku vendi qeveriset me një grusht oligarkësh apo njerëz të interesave klienteliste.

Ai tha se ka nevojë për demokraci dhe një sistem të ri politik, ku vendi të demokratizohet dhe të mos jetë më në dorën e të fortëve, kurse nga ana tjetër edhe brenda PS-së janë shtuar zërat kundër ndaj Ramës.

Qiraxhi nënvizoi faktin se sot qytetarët nuk të kërkojnë më një foto apo selfie me politikanët, por të gjuajnë me vezë dhe të kërkojnë llogari.

“Protestë unike, me dy rekorde. Qytetarët po i bëjnë presion estabilishmentit politik. Në 1990 protesta e studentëve mbolli ëndrrën e lirisë. Kjo protestë ka sjellë kontribut të jashtëzakonshëm në shoqërinë tonë. Sot qytetarët nuk të kërkojnë më selfie, por të gjuajnë dhe të marrin përpara me vezë dhe të kërkojnë llogari. Kjo është protesta evropiane. Në këto 36 vite, në mënyrën se si është qeverisur vendi, ka rezultuar se i forti ka qenë mbi ligjin. Kemi pasur oligarki, klientelizëm, ku një grup njerëzish marrin nën kontroll shtetin. Një grusht njerëzish e përdorin vendin dhe shtetin për interesat e tyre personale”, tha Qiraxhi.

Aktivisti shpjegoi se sot më shumë se kurrë ka nevojë për largimin e dy figurave politike Rama dhe Berisha, për të cilët qytetarët kërkojnë burgosjen.

Por protesta e ka dobësuar pushtetin dhe gjithashtu vetë PS-në. Dhe për ta rrëzuar përfundimisht, ai theksoi se çelësi është qëndresa.

“Qytetarët në protestën e tyre kanë identifikuar literalisht dy personat kryesorë, Rama dhe Berisha, që thonë në burg, pasi ata janë shkaktarët e kësaj gjendjeje dhe duhet të largohen. Në një luftë të pabarabartë ti je i detyruar të bësh një luftë guerile, ku ti e dobëson armikun sistematikisht të fortin për ta dobësuar. Pyetja është a e kanë dobësuar qytetarët shqiptarë kryeministrin e vendit? Unë mendoj se po, është më i dobët se kurrë në 13 vite, qytetarët e kanë nënshtruar. Ai është i dobët me kalin e tij të Trojës, legjitimitetin. Ku një nga deputetët e tij i shkëputet, pra është më i dobët.  Kam përshtypje se edhe brenda partisë së vet ai është më i dobët, për shkak të zërave kundër, si Spiropali dhe të tjerët. Protesta e detyron kryeministrin të përballet edhe me partinë e vetë. Tani kemi edhe një situatë ku sheshi i “agjentëve” siç ai pretendonte e ka detyruar të qeverisë vendin sipas kërkesave të tyre. Nuk e di nëse do bjerë, por ne duhet të qëndrojmë dhe të vazhdojmë që ta bëjmë edhe më të dobët dhe më pas të bjerë”, tha Qiraxhi.

Por cilat janë kërkesat apo variantet që ai mendon se çojnë drejt një zgjidhjeje përfundimtare.

“Ka disa variante për rrëzimin e qeverisë, njëra është qeveria teknike, që për mua është e pamundur, sepse i votojnë dy partitë politike, PS dhe PD. Tjetra është qeveria tranzitore apo zgjedhjet e parakohshme. Unë mendoj se alternativa më e mirë është ajo që bën leximin më të drejtë të protestës, nevoja për t’u demokratizuar, një parti që lind si front. Pra të demokratizohen partitë si PS dhe PD apo partitë e vogla, protesta ka ushtruar presion edhe te partitë e vogla”, argumentoi ai.

Por shprehu edhe keqardhjen që kjo protestë nuk prodhoi një elitë të re politike me intelektualë, apo formacion.

“Protesta duhet të nxjerrë një formacion të ri. Unë jam pesimist për këtë, se elita kryesore intelektuale nuk u shfaq, nuk prodhuan teza politike. Në këtë kuptim rruga është më e vështirë, por nëse një formacion i ri apo i vjetër dëgjon zërin e qytetarëve në shesh, do e ketë më të lehtë. Qytetarët janë të papërfaqësuar dhe zëri i tyre nuk po dëgjohet”, deklaroi Qiraxhi.

Qiraxhi dënoi dhunën policore gjatë protestës te Parlamenti

“Dhuna policore ishte e përshkallëzuar. Qytetarët përdorën vezë dhe miell, veza nuk të plagos. Distancohem nga ata që përdorën gur, nuk jam për atë lloj dhune. Por u përdor dhunë e përshkallëzuar me spraj, ku djegia nuk ikte për 10 orë. Ishte dhunë jo propocionale”.

ME TE LEXUARAT