Rama thirrje të rinjve: Angazhohuni në projektin që kemi me BE, janë 65 mln euro investim

Aktualitet

Rama thirrje të rinjve: Angazhohuni në projektin që kemi me BE,

Kryeministri Edi Rama ka qenë i pranishëm në eventin e Agjencicë Kombëtare të Rinisë për rezultatet e arritura në përmbyllje të Thirrjes së 10-të të Programit Kombëtar të Praktikave të Punës për studentët e ekselencës, i cili prej 10 vitesh po kthen përvojën në punësim.

Në fjalën e tij, kryeministri përgëzoi vullnetin dhe arritjen e të rinjve që janë bërë pjesë e këtij programi, teksa shtoi se punësimi i tyre në administratë me një kontratë 1 vjeçare do tu krijojë atyre edhe mundësinë e eksperiencës së duhur për të vazhduar përpara.

“Pa dashur të them që gjithçka në këtë proces shkon fjoll, edhe vlerësimi i meritës ka anën e vet subjektive. Ata që e kanë fituar mundësinë e kontratës 1 vjeçare e meritojnë. Ata që nuk kanë fituar, mos ndihen të përjashtuar dhe të mos ndihen se janë më pak të pazotë. Duke marrë një jehonë pozitive nga ata që merren me organizimin e këtij programi dhe duke pasur një përshtypje pozitive nga ministrat për seriozitetin dhe dëshirën tuaj për të mësuar, unë jam bërë një besimtar i fortë i këtij programi. Ky program ka punësuar në administratë 1600 persona. Administrata publike është një trupë jo shumë e madhe dhe këto numra nuk janë pak.

Këta që janë punësuar, kanë mundësi që nesër të jenë drejtues të drejtorive. Kjo praktikë ka qenë urë e ngritur me universitetin për të pasur një sallë pritje ku aktivisht të vetëofrohen si punonjës të rinj të shtetit. Kemi kapërcyer një ngërç, atë të eksperiencës. Që të hyje në administratë duhet të kishe eksperiencë e po të mos hyje, nuk kishe ku e krijoje eksperiencën dhe programi e ka krijuar këtë tranzicion. Agjencia duhet të bëjë një anketim për t’iu marrë në mënyrë të fshehtë përshtypjet tuaja për programin”, tha Rama.

Kryeministri më tej u bëri thirrje të rinjve të angazhohen edhe në një projekt të madh që Shqipëria ka me BE, vlera e të cilit arrin në 65 mln euro.

“Dua të flas për një projekt të madh që ka Shqipëria me BE, që ka si synim të identifikojë dhe aktivizojë të rinjtë që kanë potencial, por që nuk janë aktiv në kërkimin e rrugës së nxjerrjes së më të mirës nga vetja. Do ofrojë trajnime, aftësim profesional dhe mbështetje ekonomike, mundësi punësimi dhe vazhdimin e praktikave e të fuqizojë pjesëmarrjen e të rinjëve në jetën sociale dhe ekonomike. Do u sugjeroja që të njiheni me këtë projekt 65 mln euro dhe të shikoni se si mund të angazhoheni në këtë projekt”, tha Rama.

ME TE LEXUARAT