Rikthehet “Tik Tok” në Shqipëri! Rama: Së shpejti prezantojmë masat, ndalimi i rrjeteve sociale për të miturit budallallëk

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median e huaj “Politico”, ku ka folur ndër të tjera në lidhje me ndalimin e rrjetit social “Tik Tok” në vendin tonë.
Rama ka deklaruar se Shqipëria nuk do ta zgjasë ndalimin 1-vjeçar të rrjetit social “TikTok”, duke shtuar se është arritur një partneritet me platformën dhe se së shpejti do prezantojë masat e reja mbrojtëse.
“Jemi të kënaqur me rezultatin. E kemi bërë partneritetin dhe shpresoj që në javët ose muajt në vijim do t’ia zbulojmë planin popullit shqiptar, siç e premtuam. Sepse në fillim, për shkak se ishte normale të mendonim se ata do të na luftonin, ata do të hakmerreshin ndaj nesh, do të na ngacmonin. I takova vetë dhe mbeta shumë i impresionuar nga qëndrimi i tyre. Ata po i dëgjonin me shumë kujdes pikat tona”, tha kryeministri.
Rama pranoi se ndalimi nuk e ka zgjidhur plotësisht dhunën në shkolla, por tha se ka ndihmuar në vendosjen e mekanizmave të rinj mbrojtës me “TikTok”.
Ai gjithashtu përjashtoi mundësinë që Shqipëria të mbështesë kufizime të përgjithshme të mediave sociale për të miturit, duke i quajtur ato joefektive, ndërsa riafirmoi synimin për anëtarësim në BE në vitin 2030.
“Këto janë budallallëqe. Kjo është diçka që Shqipëria nuk do ta marrë në konsideratë. Nuk funksionon. Por nëse nuk ke një zbulim të plotë se kush fshihet pas kësaj, do të jesh gjithmonë viktimë e sulmeve nga trollët dhe robotët”, tha kryeministri.
Qeveria vendosi ndalimin e “TikTok” në mars të vitit 2025 pas rreth një viti bisedimesh me “TikTok” mbi abuzimin online.


