Rrezik për banorët në Fresk, kodra shembet mbi kabujt elektrikë; institucionet reagojnë vetëm pas denoncimit

Aktualitet

Rrezik për banorët në Fresk, kodra shembet mbi kabujt

Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së enjtes një problematikë në zonën e Freskut në Tiranë, ku institucionet dhe punonjësit e tyre përtacë e burokratë vetëm kërkonin letra dhe nuk shkonin për të parë shembjen e një kodre që rrezikonte godinën, apo edhe një kabinë elektrike.

Madje, që prej datës 20 shkurt 2026, tre kabuj të tensionit të lartë ndodheshin në tokë dhe një pjesë e tyre ishte e mbuluar nga dheu i rënë, duke u bërë një rrezik i madh për banorët dhe fëmijët e pallatit, që luanin në oborr.

Prej gati dy javësh, administratori Rasim Fusha ka kontaktuar institucione të ndryshme: Njësinë Administrative, Emergjencat Civile dhe Drejtorinë e Pastrimit në Bashkinë e Tiranës. Madje, një banor i zonës bëri edhe një ankesë zyrtare te Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, por asnjë prej këtyre punonjësve nuk shkoi për të parë gjendjen apo për të marrë masa. Përkundrazi, ata i rekomandonin administratorit dhe banorëve që të ndërhynin vetë për të hequr dheun e rënë, pavarësisht se nën dhe ndodheshin tre kabuj të energjisë elektrike. Ky është një rast ku burokratët e zyrave kërkojnë vetëm letra, ndërsa zvarritja e procedurave dhe e ndërhyrjes mund të ishte fatale.

“Rreziku është i vazhdueshëm dhe veçanërisht shqetësues për fëmijët e pallatit, të cilët frekuentojnë ambientet përreth. Edhe pse janë njoftuar të gjitha strukturat përkatëse, deri në këtë moment nuk është marrë asnjë masë konkrete për stabilizimin e situatës dhe hapjen e rrugës”, tha Rasimi.

Fiksi filmoi vendin ku kishte ndodhur shembja në një anë të kodrës. Masive të mëdha shtufi kanë prishur murin mbrojtës dhe kanë shkuar deri te muri i pallatit. Në vendin ku ka ndodhur shembja ndodhet edhe një kabinë elektrike, gjë që e bën të pamundur ndërhyrjen e vetë banorëve. Rasimi thotë se ka kontaktuar me drejtorin e Emergjencave në Bashkinë e Tiranës, Dritan Dango, por nuk është marrë asnjë masë. Ai shton se banorët kanë bërë kërkesë edhe në OSHEE për tre kabujt nëntokësorë dhe për kabinën elektrike, por sërish nuk është marrë asnjë masë.

Gazetarët e Fiks Fare kontaktojnë me drejtorin e Emergjencave Civile në Bashkinë e Tiranës, Dritan Dango. Ai thotë se ka kontaktuar me banorët dhe në veçanti me administratorin, por ata nuk kanë sjellë një shkresë. Fiksi i thotë se deri tani Emergjencat apo vetë strukturat e bashkisë nuk kanë marrë masa, ndërsa ai këmbëngul se duhet një shkresë. Fiksi i kërkon që drejtori të dërgojë një grup për ta verifikuar situatën, pasi ka rënë shpati i malit dhe rrezikohen pallati, kabina elektrike dhe gjithçka tjetër. Ai thotë se Emergjencat kështu veprojnë. Gazetari dhe drejtori debatojnë, pasi për raste të tilla shkresat janë të kota dhe vendngjarja duhet parë nga afër.

Pas disa minutash, ai thotë se do të veprojnë dhe do të dërgojnë punonjës për ta parë situatën, por do të duhet kohë për ndërhyrje, pasi duhen studime dhe analiza gjeologjike, dhe nëse nevojitet mbrojtje, duhet investim. Ai shton se, deri në kontaktin me Fiks Fare, nuk kishte marrë asnjë shkresë nga administratori apo nga punonjësit, ndërsa këmbënguli që pastrimin ta bëjnë vetë banorët.

Gazetarët kontaktojnë edhe me një punonjës të Njësisë Administrative nr. 14 në Fresk, i cili thotë se i ka dërguar një shkresë Emergjencave. Fiksi e pyet për detaje, por ai më pas mbyll telefonin.

Pas këtyre sorollatjeve, Fiksi kontakton me OSHEE, duke qenë se shembja rrezikon kabinën dhe ka zënë tre kabuj. Ndryshe nga punonjësit e bashkisë, OSHEE dërgon në vend dy grupe punonjësish, të cilët nisin menjëherë punimet dhe presin edhe një pemë që kishte rrëshqitur dhe përbënte rrezik për shembje.

Rasimi thotë se kishte mbi dy javë që kërkonte ndërhyrje dhe asnjë institucion nuk kishte marrë masa.

“Falënderoj Fiks Fare që i vuri në lëvizje dhe erdhën për të marrë masa. Erdhi OSHEE dhe më thanë se do të vijnë edhe ata të DPN 2 për ta pastruar. Faleminderit edhe njëherë”, përfundon Rasimi, teksa na dërgon edhe një video ku duket se punonjësit e bashkisë kanë shkuar, kanë vendosur shirita rreziku, kanë prerë pemën si dhe kanë sistemuar një pjesë të shpatit./TCH

ME TE LEXUARAT