Shefat e Vlorës kontrollojnë lokalet në Himarë e Dhërmi, gjoba deri në 4 milionë lekë për volumin e lartë të muzikës

Aktualitet

Shefat e Vlorës kontrollojnë lokalet në Himarë e

Shefi i Komisariatit të Policisë Himarë dhe shefi i Seksionit të Rendit në këtë komisariat, shefi i Stacionit Dhërmi dhe shërbime të tjera policore, kanë dalë në terren mbrëmjen e djeshme, në vijim të masave për garantimin e një sezoni të qetë dhe të sigurt.

Kontrolli është shtrirë në zonën e Himarës dhe Dhërmiut dhe kishte për qëllim evidentimin e rasteve të tejkalimit të normave të lejuara të zhurmës nga subjektet që zhvillojnë aktivitete me muzikë.

Gjatë kontrolleve, drejtuesit e Policisë kanë takuar përgjegjësit e këtyre subjekteve, të cilëve u kanë rikujtuar detyrimin ligjor për respektimin e orarit të përcaktuar për muzikë, nga ora 11:00 deri në orën 24:00, si dhe kufijtë e lejuar të nivelit të zhurmës.

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë janë të angazhuara maksimalisht për të ndëshkuar çdo rast të ndotjes akustike në të gjithë territorin e qarkut. Ata që nuk respektojnë ligjin, do të ndëshkohen me gjoba që variojnë nga 200 000 deri në 400 000 lekë.

Gjithashtu, do të ketë dhe/ose ndjekje penale, sipas legjislacionit për administrimin e zhurmës në mjedis.

“Policia e Vlorës mbetet e përkushtuar për të siguruar një ambient të qetë për banorët dhe turistët. Ftojmë qytetarët të denoncojnë çdo shkelje, duke garantuar reagim të menjëhershëm dhe pa tolerim”, përmbyllet njoftimi i DVP Vlorë.

 

 

ME TE LEXUARAT