Në burg që prej tetorit/ Ish presidenti Ilir Meta kërkon ndryshim të masës, ja argumentet që paraqet avokati
Ish presidenti Ilir Meta kërkon ndryshim të masës “arrest në burg”.
Kërkesa është dorëzuar nga avokati i tij Kujtim Cakrani ditën e kaluar.
Cakrani i kontaktuar nga gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha tha “po është e vërtetë, ka dorëzuar të enjten kërkesën për verifikim kushtesh dhe zëvendësim të masës së sigurisë nga arrest në burg në një masë tjetër më të butë”.
Avokati i Metës, thekson se në praktikën e jurisprudencën Gjykatës Europiane të Drejtave të Njeriut, arrestimi politikanëve sidomos atyre opozitarë dhe mbajtja për një kohë të gjatë në këtë masë për vepra penale që mendohet se janë kryer në një kohë të kaluar është jopropocionale.
"Në gjithë këtë periudhë 8 mujore të hetimit nën masën shtrëngues të arrestit me burg, kërkuesi shtetasi Ilir Metaj ka qenë në dispozicion të organit akuzës ashtu siç ka qenë edhe më parë, ka pritur qetësisht të pyetej dhe të jepte shpjegime rreth hetimeve, por edhe për të kryer qoftë edhe ballafaqime në funksion të zbardhjes së ngjarjeve apo rasteve që organi akuzës i cilëson si kriminale.
Asnjë veprim veprim nga ana e organit akuzës. Cka vërteton se qëllimi arrestimit të tij ka qenë krejt tjetër dhe jo për ato që pretendon prokuroria. Në praktikën gjyqësore është bërë tashmë normë që kur kërkohet zëvendësimi masave të sigurimit nga ana e të pandehurit, atij i kërkohen arsyet apo prova nëse e justifikon kërkesën! Padyshim që ne kemi provën më të fortë që i paraqesim gjykatës, atë të të qenit presidenti partisë dytë opozitare, Partisë lirisë.
Mbajtja në masën e sigurimit personal të arrestit me burg të një ish presidenti, ish kryeministri dhe ish kryetar kuvendi dhe së fundmi numri 2 dy i opozitës është mjaftueshmërisht provë që gjykata të vendosi zëvendësimin e masës së sigurimit personal nga arresti në burg në një masë tjetër që parashikon ligji procedural penal.
Në praktikën e jurisprudencën Gjykatës Europiane të Drejtave të Njeriut, arrestimi politikanëve sidomos atyre opozitarë dhe mbajtja për një kohë të gjatë në këtë masë për vepra penale që mendohet se janë kryer në një kohë të kaluar është jopropocionale, duke dhënë kështu një mesazh të qartë gjykatave të vendeve që ta kthejnë në praktikë vendimmarrje. Rasti Gëllçi kundër Shqipërisë është precedenti që Gjykata e Posaçme duhet ta ketë si një precedent për të pranuar kërkesën e zëvendësimit të masës sigurimit. Neni 5 i Konventës Europiane të Drejtave të Njeriut e qartëson këtë moment procedural duke shmangur kështu edhe dyshimet”, thekson avokati në dokument.
Duke iu referuar burimeve pranë gjykatës së posaçme se ish presidenti Meta nuk ka dorëzuar ende kërkesë për kundërshtimin e zgjatjes së afateve hetimore, të cilat sipas Spak zgjaten për shkak të disa veprimeve hetimore që po kryhen ende.
Sidoqoftë Ilir Metës i janë komunikuar akuzat e së bashku me të edhe ish bashkëshortes Monika Kryemadhi, një veprim qe është kryer për të mos djegur afatet hetimore.