Shkeli masën e “arrestit në shtëpi” dhe kreu dy vjedhje të tjera, arrestohet 22-vjeçarit te “Astiri”

Një 22-vjeçar ka rënë në prangat e Policisë së Tiranës, pasi dyshohet se ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe ka kryer vjedhje në dy banesa gjatë ditëve të fundit.
Sipas policisë, shtetasi K. V. dyshohet se në datat 22 dhe 23 prill 2026 ka vjedhur shuma parash në dy banesa të ndryshme edhe pse ishte nën masën e vendosur më herët “Arrest në shtëpi” për veprën penale “Vjedhja”.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 në bashkëpunim me forcat “Shqiponja”, organizuan operacionin “Again”, në zonën e Astirit, ku policia i ka bërë shenjë ndalimi drejtuesit të motomjetit, por 22-vjeçari nuk është ndalur dhe ka vijuar lëvizjen me shpejtësi, duke tentuar të shmangë kontrollin ndërsa pas ndjekjes nga shërbimet e policisë, ai është kapur dhe ndaluar.
Policia po vijon hetimet për të zbardhur nëse 22-vjeçari është i përfshirë edhe në raste të tjera vjedhjesh të ngjashme në zonë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme ligjore.


