Skema e shitjes fiktive për Arben Ahmetaj! Sonila Goxha Meqemeja merret e pandehur nga SPAK-u

Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar dosjen në Gjykatë për inceneratorin e Elbasanit, ku të pandehur janë marrë 10 persona mes tyre dhe Arben Ahmetaj, i cili prej dy vitesh ndodhet në kërkim.
Në mesin e emrave si pjesë e grupit të pastrimit të parave del edhe Sonila Goxha, e cila rezulton të jetë bashkëshortja e Sokol Meqemes, një biznesmen i njohur në vend dhe që më herët është pyetur nga SPAK-u.
Hetimet e strukturës së posaçme zbuluan se Meqemeja me anë të kompanive të tij ka kryer disa transaksione me Arben Ahmetajn përmes një skeme të shitjeve fiktive.
Në skenë del emri i shtetasit Sokol Meqemeja, i cili rezulton të jete një emër i njohur përgjatë këtij parashtrimi dhe njohje e shtetasve Klodjan Zoto dhe Mirel Mertiri (njohje dhe bashkëpunim edhe profesional), pasi ndër të tjera është evidentuar si një ndër personat e përfshirë në krijimin e shoqërisë “Building Construction & Green Energy”, shoqëri e cila rezulton të ketë paraqitur propozimin për marrjen e inceneratorit të Fierit dhe të ketë përfituar edhe bonusin prej 10 pikësh.
Nga verifikimi librave të blerjes dhe të shitjes të deklaruar në organin tatimor shoqëria nuk rezulton të ketë ushtruar aktivitet tregtar”, thuhet në dosjen prej 320 faqesh.
Po sipas dosjes hetimore që “Ora News” disponon, Sokol Meqemeja me datën 5 Maj 2028 ka miratuar dhënien e huas bashkëshortes së tij Sonila Goxha me vlerën e 140 mijë eurove.
Rezulton se Goxha ka marrë këtë shumë nga “Frigo Food” dhe ka lidhur kontratën me ish-gruan e Arben Ahmetajt, Albina Mançka, për të blerë apartamentin me sipërfaqe 178 m2 dhe një garazh 21 m2, apartament i cili më parë i ishte shitur një tjetër personi me emrin, Besmir Prifti./ORA


