Spitali Onkologjik: Nga 2026, 350 gra në vit përfitojnë protezë gjiri falas
Pas një pritjeje të gjatë dhe kërkesave të përsëritura nga gratë e diagnostikuara me kancer të gjirit, Ministria e Shëndetësisë ka parashikuar për herë të parë financimin e ndërhyrjeve rindërtuese të gjirit në spitalin onkologjik shtetëror.
Programi i ri, pjesë e “Projekt-dokumentit të programit buxhetor afatmesëm 2026-2028”, do të mundësojë vendosjen falas të protezës së gjirit për 350 paciente në vit.
Kjo ndërhyrje, që deri më tani nuk është ofruar në asnjë spital publik në vend, synon të ndihmojë gratë që kanë kaluar mastektominë, duke u dhënë mundësinë për një cilësi më të mirë jetese dhe rikthim në normalitet.
Deri tani, vendosja e protezës në klinikat private ishte shumë e kushtueshme, me kosto që varionte nga 5,000 deri në 8,000 euro, një shpenzim i papërballueshëm për shumicën e pacientëve.
Sipas Ministrisë, kostoja mesatare e trajtimit për një paciente do të jetë rreth 200,000 lekë (afërsisht 2,000 euro), dhe financimi i programit do të përballohet plotësisht nga buxheti i shtetit. Për tre vitet e ardhshme, nga viti 2026 deri në 2028, fondi do të sigurojë mbështetje për 1,050 gra që kanë nevojë për këtë shërbim jetik.
Ky hap shënon një përparim të rëndësishëm në trajtimin e kancerit të gjirit në Shqipëri, duke integruar jo vetëm aspektet mjekësore, por edhe ato sociale dhe psikologjike, për të ofruar mbështetje gjithëpërfshirëse për pacientet.