STUDIMI/ “Nature Communications”: Vera mund të zgjasë deri në gjysmën e vitit në të ardhmen

Aktualitet

STUDIMI/ “Nature Communications”: Vera mund të zgjasë deri

Vera po zgjatet dhe po bëhet më intensive, studimet paralajmërojnë për pasoja të rënda ndaj klimës dhe bujqësisë.

Një studim i publikuar në revistën shkencore “Nature Communications” tregoi se vera në nivel global, po fillon më herët dhe po zgjat më shumë se në të kaluarën, një zhvillim i lidhur drejtpërdrejt me ndryshimet klimatike.

Sipas kërkimit të realizuar nga shkencëtarë të Akademisë Kineze të Shkencave, periudha mesatare e verës në zonat midis tropikëve dhe poleve është zgjatur me rreth gjashtë ditë çdo dekadë gjatë viteve 1990–2023.

Ky ritëm është më i lartë se vlerësimet e mëparshme, të cilat sugjeronin një zgjatje prej rreth katër ditësh për dekadë.

Fenomeni nuk është i njëtrajtshëm në të gjithë globin.

Në qytetet e mëdha, ndikimi është edhe më i theksuar për shkak të efektit të “ishullit të nxehtësisë urbane”.

Për shembull, në Sidnej, vera sot zgjat rreth 130 ditë, krahasuar me vetëm 80 ditë në vitin 1990 — një rritje prej rreth 15 ditësh çdo dekadë.

Studiuesit theksojnë gjithashtu se po zvogëlohen ndjeshëm stinët kalimtare.

Kalimi nga pranvera në verë dhe nga vera në vjeshtë po bëhet më i shpejtë dhe më i papritur.

Ky ndryshim po ndikon në ekosisteme, duke prishur sinkronizimin midis lulëzimit të bimëve dhe aktivitetit të pjalmuesve, si dhe po kufizon kohën e disponueshme për mbjelljen e kulturave bujqësore.

Një tjetër gjetje shqetësuese lidhet me sasinë e nxehtësisë së akumuluar gjatë verës.

Sipas studimit, në hemisferën veriore kjo sasi është trefishuar krahasuar me vitin 1990, duke rritur rrezikun për valë të të nxehtit më të shpeshta dhe më ekstreme.

Të dhëna të tjera nga Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike e konfirmojnë këtë trend, duke theksuar se dekada e fundit ka qenë më e nxehta e regjistruar ndonjëherë.

Ndërkohë, Organizata Botërore Meteorologjike raportoi se vitet e fundit ka patur një rritje të ndjeshme të temperaturave mesatare globale dhe të fenomeneve ekstreme si thatësirat dhe zjarret.

Ekspertët paralajmërojnë se, nëse emetimet e gazeve serrë nuk reduktohen ndjeshëm, vera mund të zgjatet deri në gjashtë muaj deri në fund të shekullit, duke sjellë pasoja të mëdha për shëndetin publik, furnizimin me ushqim dhe burimet ujore.

Ky zhvillim përforcon nevojën për masa urgjente globale, për të frenuar ndryshimet klimatike dhe për t’u përshtatur me një realitet të ri – ku stinët po humbasin ekuilibrin e tyre tradicional./ATSH/

ME TE LEXUARAT