Fuqia e heshtjes: Si e ndihmon trurin të rikuperohet dhe të përmirësojë kujtesën

Soft

Fuqia e heshtjes: Si e ndihmon trurin të rikuperohet dhe të

Një sërë studimesh shkencore sugjerojnë se periudhat e qetësisë dhe mungesa e zhurmës nuk janë thjesht momente pushimi, por procese aktive që ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin dhe funksionimin e trurit.

Sipas një studimi të kryer nga Qendra Mjekësore e Universitetit Duke, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i publikuar në revistën shkencore “Brain Structure and Function”, studiuesit zbuluan se minjtë e ekspozuar ndaj periudhave të heshtjes zhvilluan më shumë qeliza të reja në “hipokampus-it” – pjesa e trurit që lidhet me kujtesën dhe të nxënit. Ky proces njihet si neurogjeneza.

Megjithëse ky efekt është vërejtur tek kafshët dhe nuk mund të transferohet plotësisht tek njerëzit, studiuesit theksojnë se heshtja krijon kushte biologjike të favorshme për rigjenerimin dhe riorganizimin e trurit.

Në një tjetër studim të publikuar në “National Institutes of Health”, evidentohet rëndësia e fenomenit të quajtur “wakeful rest” (pushim i ndërgjegjshëm)
– një gjendje qetësie ku truri përpunon dhe konsolidon informacionin e marrë më parë.

Studiuesit zbuluan se njerëzit që kalojnë disa minuta në qetësi pas mësimit, mbajnë mend më mirë informacionin krahasuar me ata që ekspozohen menjëherë ndaj stimujve të rinj.

Ekspertët shpjegojnë se zhurma e vazhdueshme, njoftimet digjitale dhe stimulimi i tepërt rrisin ngarkesën fiziologjike të trurit.

Në të kundërt, heshtja ndihmon në uljen e ritmit të zemrës dhe presionit të gjakut, duke aktivizuar sistemin nervor parasimpatik – mekanizmi që lidhet me relaksimin dhe rikuperimin.

Megjithatë, pretendimi se dy orë heshtje në ditë – krijojnë qeliza të reja të trurit – nuk është konfirmuar drejtpërdrejt tek njerëzit.

Shkenca mbështet përfitimet e qetësisë, por jo një formulë të saktë kohore universale.

Në përfundim, studiuesit theksojnë se përfshirja e momenteve të heshtjes në rutinën e përditshme – qoftë edhe për disa minuta – mund të përmirësojë kujtesën, përqendrimin dhe mirëqenien mendore. 

ME TE LEXUARAT