TATIMET PUBLIKOJNË UDHËZUESIN/ Bizneset mund të aplikojnë për Paqen Fiskale deri më 5 qershor

Aktualitet

TATIMET PUBLIKOJNË UDHËZUESIN/ Bizneset mund të aplikojnë

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve publikoi udhëzimin për procedurat dhe afatet e aplikimit për Marrëveshjen e Paqes Fiskale për vitin tatimor 2026. Aplikimet do të kryhen elektronikisht përmes sistemit e-Filing nga data 15 maj deri më 5 qershor 2026. Ligji parashikon lehtësi fiskale dhe falje të detyrimeve për kategori të ndryshme tatimpaguesish, por përjashton ata që janë dënuara për vepra penale tatimore.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka publikuar udhëzimin për përcaktimin e afatit dhe procedurës së aplikimit për lidhjen e Marrëveshjes së Paqes Fiskale për vitin tatimor 2026.

Sipas udhëzimit, aplikimet për Marrëveshjen e Paqes Fiskale mund të dorëzohen elektronikisht nga data 15 maj deri më 5 qershor 2026 përmes sistemit e-Filing.

Tatimpaguesit duhet të aplikojnë te rubrika “Çështjet e mia”, duke ngarkuar formularin përkatës të aplikimit. Administrata Tatimore sqaron se aplikimet e dorëzuara pas afatit do të refuzohen.

Në rast se gjatë verifikimit konstatohen mungesa në dokumentacion, tatimpaguesi do të njoftohet për plotësimin e tyre brenda 3 ditëve pune.

Vendimmarrja mbi aplikimin do të komunikohet jo më vonë se data 10 qershor 2026, ndërsa marrëveshja duhet të nënshkruhet deri më 15 qershor.

Ligji për Paqen Fiskale parashikon falje të detyrimeve tatimore, gjobave dhe kamatëvonesave për kategori të ndryshme tatimpaguesish.

Për detyrimet deri në fund të vitit 2014 parashikohet fshirje e plotë e detyrimeve, ndërsa për periudhën 2015-2019 falet deri në 50% e principalit nëse pagesat kryhen brenda afateve të përcaktuara.

Ndërkohë, për detyrimet e viteve 2020-2024 fshihen gjobat dhe kamatëvonesat nëse paguhet i plotë detyrimi principal.

Përfitime parashikohen edhe për subjektet e çregjistruara, si dhe për bizneset që kanë deklarata të padorëzuara apo të dorëzuara me vonesë deri në fund të vitit 2024.

Administrata Tatimore ka sqaruar se nuk do të përfitojnë subjektet e dënuara për vepra penale tatimore apo doganore, si dhe subjektet në proces hetimi apo gjykimi për këto vepra.

ME TE LEXUARAT