Tensione në Bashkinë e Sarandës/ Pronarët e mjeteve ujore tentojnë të hyjnë me forcë në mbledhjen e Këshillit: Duam…

Pronarët e mjeteve ujore në Ksamil protestuan ditën e sotme para Bashkisë Sarandë, duke kundërshtuar propozimin për vendosjen e katër vendbazimeve për aktivitetin e tyre gjatë sezonit turistik.
Protesta u zhvillua paralelisht me mbledhjen e Këshillit Bashkiak Sarandë, ku në rendin e ditës ishte shqyrtimi dhe miratimi i hartave të vendbazimeve të mjeteve ujore në territorin e bashkisë. Situata u tensionua kur një grup protestuesish tentoi të hynte në sallën e mbledhjes, duke kërkuar një takim me kryetarin e bashkisë.
Sipas përfaqësuesve të biznesit, dy nga katër vendbazimet e propozuara nuk janë të përshtatshme për zhvillimin e aktivitetit. Ata argumentojnë se pozicionimi i tyre në skajet e Ksamilit i bën ato praktikisht të papërdorshme.
“Idea është që vendbazimet që caktohen të jenë praktike. Dy prej tyre janë jashtë funksionit, janë në cepa të Ksamilit që nuk hyjnë në punë për asgjë. Ato dy që janë mund t’i bëjnë njerëzit lëmsh e li”, u shpreh një prej protestuesve.
Nga ana tjetër, përfaqësuesja e bashkisë deklaroi se para hartimit të propozimit janë zhvilluar disa takime me grupet e interesit dhe se është kërkuar një zgjidhje kompromisi mes kërkesave të operatorëve dhe rekomandimeve të institucioneve të sigurisë.
“Për këtë qëllim janë bërë disa takime. Janë dëgjuar grupet e interesit dhe kemi konkluduar në propozimin dhe hartën që ju kemi sjellë sot për votim. Nga ana e Policisë është kërkuar që të jenë vetëm dy kordone lëvizëse, ndërkohë që më parë kanë qenë 12. Ne kemi gjetur një rrugë të mesme dhe kemi propozuar katër të tilla”, tha ajo.
Në mbështetje të këtij qëndrimi foli edhe një efektiv policie i pranishëm në mbledhje, i cili theksoi se prioritet mbetet siguria e qytetarëve dhe pushuesve.
“Ne kemi për qëllim jetën e njerëzve, sigurinë e qytetarëve. Në komunikimin që kemi bërë me bashkinë dhe Policinë Bashkiake, jemi dakordësuar që të jenë katër. Me katër të tilla ne jemi më të sigurt. Pastaj se ku do të vendosen, e zgjedhin vetë bizneset. Ne jemi për të siguruar pjesën e stacionit nga ku do të hyjnë dhe do të dalin mjetet”, deklaroi efektivi.
Debati mes operatorëve turistikë dhe institucioneve vendore pritet të vijojë, ndërsa palët mbeten të ndara mbi mënyrën më të përshtatshme për organizimin e aktivitetit të mjeteve ujore në Ksamil gjatë sezonit veror.


