Lajmet për kalimin e Alvarez te Barcelona, tallja e Atletico Madrid: Kemi bërë ofertë zyrtare, një qese luledielli

Një përplasje me në qendër dy klubet spanjolle, Barcelona dhe Atletiko Madrid ka shpërthyer në Spanjë.
Duket se klubi madrilen është mërzitur duke dëgjuar zërat për transferimin e Julian Alvarez te Barcelona dhe faktin se nga klubi katalanas është përfolur për oferta reale për argjentinasin. Ndaj Atletico Madrid është përgjigjur me një tallje epike në rrjete sociale. Në “X”, u shfaqën me radhë postime për lojtarë që Atletiko kërkonte nga katalanasit. E para ishte për Lamin Yamal.
“I kemi dërguar një faks Barcelonës me ofertën tonë të transferimit: 4 bileta për koncertin e Bad Bunny nesër, një abonim vjetor në ABC dhe një qese me fara luledielli. Presim me padurim përgjigjen e tyre për të përgatitur ‘njoftimin’”, ishte mesazhi i parë.
Më pas ishte ajo e Pedrit.
“Na kanë mbaruar biletat për koncertin e nesërm, kështu që po e përmirësojmë ofertën tonë të mëparshme me 6 bileta për të dielën”.

Në fund, e kishte radhën Raphinia.
“Dhe për të përfunduar marrëveshjen 3-për-1, kemi bërë gjithçka: lojtari vjen i huazuar për një sezon dhe në këmbim, po i japim hua Tom Ford dhe Smith pa mundësi blerjeje. Një ofertë që nuk mund ta refuzosh”, shkruante klubi madrilen, i cili bëri një postim tjetër.

“Dhe mos harroni, na u deshën vetëm pesë minuta për të krijuar këtë mashtrim. Jetojmë në një epokë ku realiteti mund të shtrembërohet. Mos besoni gjithçka që shihni, veçanërisht nëse lidhet me Barçën”, ishte mesazhi i madrilenëve.



