Qarkullonte i armatosur me pistoletë, arrestohet 32-vjeçari me precedentë për drogë dhe vjedhje në Tiranë
Komisariati nr. 4 njofton finalizimin e aksionit të koduar “The Walker”, gjatë të cilit u arrestua një 32-vjeçar i dyshuar që qarkullonte në rrugët e kryeqytetit i armatosur me pistoletë.
I arrestuari është Klevi Prodani, i cili rezulton të ketë precedentë të mëparshëm penalë në fushën e narkotikëve dhe vjedhjes. Gjatë aksionit, policia sekuestroi armën e zjarrit që mbante me vete.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, bazuar në informacionet e marra se një shtetas qarkullonte me armë zjarri, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor, si rezultat i të cilit u arrestua shtetasi: K. P., 32 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për prodhim dhe shitje të narkotikëve dhe vjedhje”, bëri me dije Policia e Tiranës.
Gjatë kontrollit fizik të 32-vjeçarit në rrugën ‘5 Maji’, shërbimet e Policisë i gjetën 1 armë zjarri pistoletë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.