Tragjedia në Durrës/ Humbi jetën me partnerin, flet familja e të resë italiane: Jemi të shkatërruar, presim trupin e saj

Është kryer në Tiranë autopsia e trupit të Sara Brugnatellit, 26-vjeçares italiane nga Zocco, një lagje e Erbuscos, e cila humbi jetën në një aksident tragjik rrugor në Durrës.
Në aksident humbën jetën edhe partneri i saj, Kleo Vrioni, 25 vjeç, i cili drejtonte automjetin, si dhe një 15-vjeçar. Familja e të resë tashmë pret kthimin e trupit në Itali, ndërsa sipas familjarëve, riatdhesimi mund të bëhet javën e ardhshme, por ende nuk ka një datë të përcaktuar.
Familja e Sarës, ndërkohë, po përballet me dhimbjen dhe pritjen për kthimin e saj në Itali. Sipas kushërirës së 26-vjeçares, babai i saj është “i shkatërruar”, ndërsa familjarët po përpiqen ta mbajnë larg informacioneve të rënda për shkak të gjendjes së tij të brishtë.
Komuniteti i Zoccos dhe miqtë e Sarës janë mbledhur rreth familjes, duke kujtuar të renë si një vajzë të hareshme dhe bujare. “Ishte si një motër për mua. Një humbje jashtëzakonisht e madhe”, është shprehur kushërira e saj.


