Përdornin picerinë për pastrimin e parave të substancave të ndaluara/ 4 vite heqje lirie për dy vëllezërit shqiptarë

Bota

Përdornin picerinë për pastrimin e parave të substancave

Gjykata Penale e Antverpit në Belgjikë ka dënuar me nga katër vite burgim dhe 16,000 euro gjobë dy vëllezër shqiptarë, të cilët kishin ngritur një rrjet të madh të trafikut të kanabisit në Belgjikë.

Media belge raporton se, hetimet e nisura në tetor të vitit 2025 zbuluan se Vullnet M. ,36 vjeç dhe vëllai i tij Mirgjen M., 33 vjeç, drejtonin disa shtëpi bari dhe e shisnin lëndën narkotike në sasi të mëdha. Sipas dosjes hetimore, 36-vjeçari i pastronte paratë e kësaj veprimtarie kriminale përmes biznesit të tij, një piceri e vendosur në rrugën "Paleisstraat" në Antverp.

Gjatë hetimeve, policia mbajti në vëzhgim dy banesa që përdoreshin nga grupi në zonat Berchem dhe Merksem. Gjatë kontrollit në banesën e dytë, hetuesit sekuestruan rreth 24 kilogramë marijuanë si dhe dy fletore ku mbaheshin shënimet e shitjeve.

Në to regjistroheshin fitimet ditore dhe llojet e ndryshme të marijuanës, të emërtuara me emra si 'Tropicana', 'Cookies', 'Lemon' apo 'Blue Haze'. Të dhënat tregonin se grupi mund të kishte gjeneruar deri në 333,951 euro fitime. Në përpjekje për t’i ikur policisë gjatë aksionit, Mirgjeni hodhi dy telefona inteligjentë. Njëri prej tyre përdorej për llogarinë e WhatsApp-it ‘Shop+’, përmes së cilës klientët porosisnin kanabisin.

Në seancën gjyqësore të mbajtur në fillim të gushtit, të pandehurit e pranuan fajësinë. Avokati i Vullnetit kërkoi dënim me kusht, me pretendimin se klienti i tij kishte pasur probleme financiare me picerinë, ishte baba i një foshnjeje 9-muajsh dhe se ndodhej nën arrest shtëpiak me mbikëqyrje elektronike.

Po ashtu, edhe avokati i Mirgjenit pretendoi se klienti i tij kishte shërbyer vetëm si korrier dhe kërkoi pezullim të dënimit.

Gjykata e refuzoi kërkesën e mbrojtjes. Në vendim, gjyqtari theksoi se shumica e të pandehurve kishin udhëtuar nga Shqipëria drejt Belgjikës vetëm për të kryer vepra penale me qëllim fitimin e shpejtë, ndaj i vetmi dënim i përshtatshëm ishte burgimi efektiv.

Përveç dy vëllezërve, gjykata dënoi me nga 40 muaj burgim dhe 12,000 euro gjobë dy korrierët e rrjetit, Ardit T. dhe Rei Q. Ndërkohë, një kushëri i vëllezërve dhe ish-partnerja e Mirgjenit u dënuan me nga 30 muaj burgim dhe 12,000 euro gjobë

ME TE LEXUARAT