Transmetimi live i gjyqit të nënës amerikane që vrau tre fëmijë, reagon avokati i Veliajt: Këtu mbyllim drejtësinë për të mbrojtur privatësinë

Avokati mbrojtës i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, Plarent Ndreca, ka reaguar për vendimin që nuk lejon transmetimin me kamera të proceseve gjyqësore në Shqipëri.
Në reagimin e tij, Ndreca i referohet edhe rastit të Lindsay Clancy, nënës amerikane të akuzuar për vrasjen e tre fëmijëve të saj, procesi gjyqësor i së cilës po transmetohet drejtpërdrejt në SHBA, pavarësisht natyrës së ndjeshme të çështjes.
Sipas Ndrecës, ky rast tregon qartë se drejtësia shqiptare ka ende rrugë për të bërë në drejtim të respektimit të parimit kushtetues të publicitetit të seancave gjyqësore.
Reagimi i plotë i Ndrecës:
Ky është gjyqi i Lindsay Clancy, nënës amerikane të akuzuar për vrasjen e tre fëmijëve të saj. Mbrojtja e saj në gjyq mbështetet te problemet e rënda të shëndetit mendor pas lindjes. Në gjyq diskutohen publikisht diagnoza psikiatrike, medikamente, mendime vetëvrasëse dhe detaje thellësisht private të jetës së saj. Gjykohet vrasja e tre fëmijëve.
E megjithatë, gjyqi është publik. Kamerat janë në sallë. Dëshmitë transmetohen. Privatësia nuk ekziston në një seancë shtetërore gjykimi.
Ndërkohë, në Shqipëri, në procese me interes të jashtëzakonshëm publik, dyert mbyllen dhe kamerat largohen në emër të privatësisë.
Dy realitete. Dy standarde të publicitetit të drejtësisë.
Atje kërkohet të mbrohet privatësia pa mbyllur drejtësinë. Këtu, për të mbrojtur privatësinë mbyllim drejtësinë.
Ky është ndoshta treguesi më i qartë se sa shumë rrugë kemi ende për të bërë në respekt të parimit kushtetues të publicitetit të seancës gjyqësore.


