Skema e sofistikuar e mafias shqiptare në Ekuador në vjedhjen e karburantit, si u zbuluan "kukullat" nga policia latine

Bota

Skema e sofistikuar e mafias shqiptare në Ekuador në vjedhjen e

Autoritetet e Ekuadorit po hetojnë një rrjet të dyshuar kriminal që akuzohet se kishte ngritur një skemë të sofistikuar për vjedhjen e karburantit nga tubacionet shtetërore. Sipas Prokurorisë, pas organizatës qëndrojnë lidhje me mafien shqiptare, ndërsa në dosje ngrihen dyshime edhe për bashkëpunim me efektivë policie.

Hetimi përfshin 16 persona dhe zbulon një aktivitet që ndryshon ndjeshëm nga ai për të cilin grupet shqiptare janë hetuar tradicionalisht në Ekuador. Nëse më parë emri i tyre lidhej kryesisht me trafikun ndërkombëtar të kokainës dhe pastrimin e parave, këtë herë bëhet fjalë për vjedhjen dhe tregtimin e paligjshëm të hidrokarbureve.

Dosja gjyqësore, e bërë publike në korrik 2026, përshkruan një strukturë të organizuar që dyshohet se ndërhynte drejtpërdrejt në poliduktet e kompanisë shtetërore Petroecuador dhe më pas transportonte karburantin e vjedhur me automjete të rënda.

Një dëm që llogaritet në 127 milionë dollarë

Sipas të dhënave të hetimit, aktiviteti kriminal dyshohet se i ka shkaktuar shtetit ekuadorian një dëm që arrin në rreth 127 milionë dollarë.

Vetëm në linjën Quito–Santo Domingo–Esmeraldas dyshohet se është realizuar më shumë se 60% e vlerës së përgjithshme të vjedhjeve. Deri në mesin e korrikut, autoritetet llogarisnin se rrjeti kishte arritur të merrte në mënyrë të paligjshme rreth 50 mijë fuçi karburant.

Mekanizmi i përdorur kërkonte ndërhyrje teknike në infrastrukturën shtetërore. Anëtarët e grupit dyshohet se hapnin pika të paligjshme në tubacione, të cilat në komunikimet e tyre i quanin “operacione”.

Në këto pika instaloheshin lidhje të posaçme, të njohura nga grupi si “kukulla”, përmes të cilave devijohej karburanti. Më pas hidrokarburet kalonin me presion përmes zorrëve dhe përfundonin në cisterna të montuara mbi kamionë të rëndë.

Gjashtë episode çuan hetuesit te rrjeti
Prokuroria ka rindërtuar të paktën gjashtë episode që konsiderohen pjesë e së njëjtës skemë.

Rasti i parë u regjistrua më 16 janar në Quinindé, ku policia ndaloi një autokolonë të përbërë nga tre automjete dhe 11 cisterna. Brenda tyre u gjetën mbi 11 mijë litra benzinë që dyshohet se ishte siguruar ilegalisht.

Gjatë operacionit u arrestuan drejtuesit e dy kamionëve, Darwin Mora dhe Marco Pérez, si dhe Eddy Morales dhe José Ponce, të cilët sipas hetuesve koordinonin lëvizjen e mjeteve.

Një tjetër goditje erdhi më 25 mars në zonën rurale të Esmeraldas. Gjatë operacionit të koduar “Metanos”, policia ndërhyri pikërisht në momentin kur një grup dyshohet se po hapte një lidhje të paligjshme në tubacion. Tre persona përfunduan në pranga.

Vetëm dy ditë më vonë, në Quinindé, Miguel Calle dhe Danny Herrera u kapën me dy kamionë ku ndodheshin rreth 22,730 litra benzinë.

Një prej episodeve më të rrezikshme ndodhi më 2 maj në La Unión. Një ndërhyrje e dështuar në tubacion shkaktoi një rrjedhje masive, duke krijuar një kolonë karburanti që arriti rreth 30 metra lartësi. Për shkak të rrezikut u kërkua edhe ndërhyrja e ushtrisë.

Më 9 maj, autoritetet zbuluan me ndihmën e një droni një tjetër pikë të dyshuar për marrjen e paligjshme të karburantit. Pesë ditë më vonë u gjetën gjashtë automjete të braktisura, të cilat hetuesit i lidhën me të njëjtin aktivitet.

Dyshime për policë të korruptuar
Një nga elementet më të rënda të dosjes është dyshimi se organizata kishte arritur të siguronte mbrojtje edhe brenda strukturave policore.

Mes personave të proceduar është Mario Quintero, i njohur me pseudonimin “Sargento”. Ai kishte rreth 20 vite në radhët e policisë dhe dyshohet se siguronte informacione të inteligjencës për anëtarët e rrjetit.

Përgjimet telefonike, sipas Prokurorisë, tregojnë se organizata kishte krijuar edhe një sistem pagesash për të shmangur kontrollet gjatë transportimit të karburantit.

Hetuesit pretendojnë se paguheshin 1,000 dollarë për kalimin e një autocisterne, 1,500 dollarë për kamionët e rëndë të tipit “mushkë” dhe 500 dollarë për automjetet më të vogla.

Në një prej bisedave të përgjuara pretendohet se, pas ndalimit të tre kamionëve të ngarkuar, disa agjentë të Policisë Gjyqësore kërkuan 2 mijë dollarë në këmbim të mosformalizimit të sekuestrimit dhe lirimit të transportuesve.

Lidhja e dyshuar me mafien shqiptare
Hetuesit ekuadorianë e lidhin strukturën me rrjete kriminale shqiptare që prej vitesh janë nën vëzhgim në vend për trafikun e kokainës dhe pastrimin e parave.

Në këtë kontekst përmendet edhe Dritan Gjika, i njohur si “Tony”, i akuzuar më herët se drejtonte një strukturë që përdorte kompani eksporti të produkteve bujqësore dhe biznese minerare për të fshehur aktivitetin kriminal dhe për të pastruar dhjetëra milionë dollarë.

Gjika u arrestua në Abu Dhabi më 26 maj 2025 dhe ndaj tij është zhvilluar procedura për ekstradim.

Hetimi i ri sugjeron se rrjetet kriminale të lidhura me shqiptarët mund të kenë diversifikuar aktivitetin e tyre, duke kaluar nga tregtia e drogës dhe pastrimi i parave edhe në tregun ilegal të hidrokarbureve.

16 persona nën akuzë
Më 17 korrik, gjyqtari Renán Andrade vendosi masën e paraburgimit ndaj 16 personave të përfshirë në çështje.

Prokuroria konsideron Martín Quiñónez, i njohur si “Quiño”, dhe José Ponce si drejtues të dyshuar të organizatës. Katërmbëdhjetë të pandehurit e tjerë akuzohen se kanë pasur role të ndryshme në strukturë.

Mes tyre janë Eddy Morales, i njohur si “Pato”, dhe Adrián Peña, me pseudonimin “Adri”, të cilët sipas akuzës merreshin me organizimin e logjistikës dhe sigurisë së operacioneve.

Mbrojtja ka kundërshtuar një pjesë të akuzave dhe masat e sigurisë. Avokatët e disa prej të proceduarve pretendojnë se klientët e tyre janë dënuar më parë për episode të njëjta dhe argumentojnë se procesi i ri mund të përbëjë gjykim të dyfishtë.

Marco Pérez, për shembull, ishte dënuar më 20 shkurt me 24 muaj burg, ndërsa Danny Herrera dhe Miguel Calle janë dënuar për episodin e 27 marsit në Quinindé.

Avokatët kanë ngritur pikëpyetje edhe mbi provat financiare të paraqitura nga organi i akuzës, duke pretenduar se mungojnë të dhëna të mjaftueshme bankare dhe dokumentacion teknik nga Petroecuador.

Hetimi vazhdon, ndërsa autoritetet ekuadoriane po përpiqen të përcaktojnë përmasat e plota të rrjetit, lidhjet e tij me krimin e organizuar dhe rolin që mund të kenë pasur zyrtarë të korruptuar në funksionimin e skemës.

ME TE LEXUARAT