Shtyhet seanca për Laert Haxhiun në GJKKO, reperi Clevio do të dëshmojë më 10 qershor

Seanca e radhës për ish-kreun e bandës së Lushnjës, Laert Haxhiu, është shtyrë për në datën 3 qershor për shkak të mungesës së 2 avokatëve. Clevio ka kërkuar që të paraqitet në GJKKO për të dëshmuar në datën 10 qershor për shkak të angazhimeve të tij personale.
Kësaj radhe, në seancë do të dëshmonte personazhi i Tik-Tok Kleviol Ahmeti dhe reperi Rigels Rajku, i njohur ndryshe si Noizy për episodin e tritolit të vendosur në biznesin e këtij të fundit.
Ata janë në mesin e 60 dëshmitarëve të thirrur nga mbrojtja e Haxhiut, i cili po gjykohet si kreu i një grupi kriminal për 14 krime të rënda, përfshirë vrasje, atentate, shpërthime me tritol dhe grabitje me armë. Laert Haxhiu akuzohet si porositës i tritolit që u vendos në lokalin e Noizyt në Durrës.
Rreth 100 gr tritol shpërtheu në biznesin e Noizy në qershor të vitit 2022. Dëmet materiale në dyqanin e veshjeve dhe lokalin që ndodhen në katin e parë e të dytë të një pallati pranë zonës bregdetare të Durrësit ishin të mëdha. Lënda plasëse ishte vendosur në murin e jashtëm të biznesit dhe ishte ndezur me fitil përcjellës.
SPAK dhe i penduari i drejtësisë, Artan Tafani zbuluan së tritoli ishte vendosur me urdhër të Laert Haxhiut si për përgjigje për dhunimin e shokut të tij, Kleviol Ahmeti nga shokët e Noizyt.


