U përfshi në plagosjen e rëndë ku vdiq 75-vjeçari në Korçë, Greqia sjell në pranga 39-vjeçarin e dënuar!
Një 39-vjeçar i shumëkërkuar është kapur teksa fshihej në Greqi dhe u ekstradua ditën e sotme (26 prill) nga Interpol Tirana.
I ekstraduari është i riu korçar Marinel Demiri, i dënuar për veprën penale të plagosjes së rëndë me dashje, pasi është përfshirë në një konflikt ku më pas ka humbur jetën në spital edhe një i moshuar që ishte plagosur rëndë.
“Në vijim të bashkëpunimit të Drejtorisë së Interpolit me zyrat homologe, për kapjen dhe ekstradimin e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, është arrestuar në Greqi shtetasi shqiptar Marinel Demiri, 39 vjeç, banues në Pojan, Korçë”, njofton policia.
Referuar dosjes hetimore, 39-vjeçari u arrestua nga autoritetet policore greke me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, në zbatim të urdhër-arrestit ndërkombëtar të lëshuar nga Drejtoria e Interpolit, pasi Gjykata e Apelit Tiranë e ka dënuar me 5 vjet e 6 muaj burgim, për veprën penale “plagosja e rëndë me dashje”.
Demirit i kanë ngelur për të vuajtur dhe 4 vjet, 5 muaj e 18 ditë.
Nga hetimet rezulton se shtetasi Marinel Demiri, është përfshirë në një konflikti me sende të forta, në fshatin Pojan, gjatë të cilit ka humbur jetën shtetasi A. Z., 75 vjeç, i cili kishte ndërhyrë për të ndihmuar djalin e tij, gjatë konfliktit me të rinjtë.