Dështon sërish zgjedhja e Albulena Haxhiut si kryetare e Kuvendit të Kosovës
Edhe sot ka dështuar përpjekja për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Vetëm 57 vota kanë qenë sërish për Albulena Haxhiun për kryeparlamentare që mbetet emri i vetëm që Vetëvendosje do të që jetë në krye të Kuvendit.
41 deputetë kanë votuar kundër, ndërkaq 3 kanë abstenuar. Kryesuesi Avni Dehari, tha se seanca mbahet me 29 prill.
Murati: Kandidatja jonë është Albulena Haxhiu, shpresojmë për konsensus
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, para fillimit të vazhdimit të seancës, theksoi se sot "duhej të ishte një ditë pushimi". Ai shtoi se "jemi të interesuar, por përtej votës nuk mund të bëjmë shumë".
Murati shprehu shpresën se mund të ketë ndryshim qëndrimesh nga partitë tjera dhe tha se "ato nuk kanë treguar interes për arritjen e konsensusit".
Kur u pyet nëse do të ndryshohej kandidatja për kryetar Kuvendi, ai u përgjigj se "kandidatja jonë është Albulena Haxhiu, gruaja më e votuar".