Vdekja e 25-vjeçares Xhuana Nikolli, AMP nis hetimin për efektivët e komisariatit nr.2! Dyshohet se kanë...

AMP ka nisur hetimet për komisariatin nr.2, pas vdekjes së 25-vjeçares Xhuana Nikollaj. Kjo pasi dyshohet se komisariati nr.2 ka neglizhuar zbardhjen e këtij rasti dhe identifikimin e të gjithë personave të përfshirë.
Gjithashtu përveç ish-bashkëshortit të së ndjerës, i cili aktualisht është shpallur në kërkim për veprën penale shkaktim të vetëvrasjes, dyshohet se në këtë rast janë përfshirë edhe persona të tjerë.
Familjarët e viktimës kanë deklaruar se shoqja me të cilën Xhuana ndante dhomën kishte insistuar vazhdimisht që ajo të takohej me Eraldo Fizin, ndërsa telefoni i saj nuk është sekuestruar nga policia.
Pas ngjarjes së rëndë, policia ushtroi një kontroll në banesën e saj, por deklaroi se nuk gjeti fostoksinë. Por dy ditë më pas familjarët e saj shkuan tek banesa ku ajo jetonte dhe pranë sendeve të saj personale gjetën fostoksinën.
Autopsia ka treguar se Xhuana kishte shenja dhune në trup, ndërsa natën e ngjarjes Eraldo Fizi ishte takuar me të ndjerën. Ata kishin udhëtuar drejt Shëngjinit, ndërsa dyshohet se gjatë rrugës Fizi e ka dhunuar të renë në makinë.
Gjithashtu rezulton se natën e krimit, Fizi është gjobitur për tejkalim shpejtësie nga policia pranë ish-sheshit “Shqiponja”.
Para se të ndërmerrte aktin fatal, 25-vjeçarja kishte lënë edhe një letër, ku shkruante se nuk donte më që ata njerëz që i kishin bërë keq të vazhdonin ta lëndonin. Po ashtu, në fund të letrës, ajo u kërkonte ndjesë nënës dhe babait të saj.


