Virusi "Ethet e Nilit" mbërrin në Shqipëri! Ja ku u shënua rasti i parë

Virusi “Ethet e Nilit” ka hyrë edhe në Shqipëri, pasi më 1 gusht është diagnostikuar rasti i parë me këtë sëmundje në qarkun e Korçës.
“U diagnostikua në fillim të këtij muaji”, tha Adela Vasili, epidemiologe në ISHP.
Ly rast është raportuar edhe në ECDC, Qendra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, ku Shqipëria sapo i është bashkuar në hartë vendeve europiane si Italia që deri më tani ka 311 raste me ethe të Nilit, Greqia 157, Maqedonia fqinje ka 37.
Kjo sëmundje përhapet nga pickimi i mushkonjës dhe simptomat tek personi i prekur nisin me temperaturë, dhimbje koke, dhimbje muskujsh dhe të vjella, por prek trurin dhe është sëmundje vdekjeprurëse.
“Nis si një grip, por shkakton encefalite, nuk ka vend për panik”, shprehet epidemiologia.
Epidemiologë nga Instituti i Shëndetit Publik po hetojnë në të gjitha qarkun e Korçës praninë ose jo të mushkonjës që përhap këtë sëmundje.
“Mushkonja infektohet nga zogjtë ose kuajt e më pas nga pickimi. Ne kemi nisur të bëjmë hetimin atje”, thotë Vasili.
Instituti i Shëndetit Publik ka bërë dezinsektimin e zonave bregdetare në kohën e shumimit të mushkonjave, por kërkohet që bashkitë të marrin masat për të dezinsektuar dhe dezinfektuar ambientet në vendgrumbullimet e mbeturinave./Top Channel


