Vlorë/ Narta e mbrojtur në ‘letër’, s’ndalet gjuetia e shpendëve

Shpendët që zakonisht bëhen objekt gjuetie për ushqim janë kryesisht rosat dhe patat e egra, ndërsa flamingot mund të qëllohen edhe aksidentalisht.
Gjuetarë të paautorizuar përdorin imitues për të tërhequr shpendët dhe më pas gjuajnë mbi to duke demtuar rende kete habitat.
Pak kohë më parë, Administrata e Zonave të Mbrojtura dhe Policia e Shtetit ndërhynë duke prishur dy kasolle të përdorura nga gjuetarët. Megjithatë, ambiente të ngjashme janë ngritur sërish në zonë.
Organizata Albanian Ornithological Society thekson se me miratimin e ligjit të ri për gjuetinë përfundoi moratoriumi 10-vjeçar që synonte rikuperimin e faunës së egër, por sipas saj situata në terren nuk ka treguar përmirësim.
Sipas ambientalistëve, gjatë kësaj periudhe nuk u ndërtuan mekanizma të fortë kontrolli dhe monitorimi.
Një tjetër shqetësim mbetet tregtimi i gjahut, i cili vazhdon të jetë i lejuar dhe që sipas ekspertëve mund të nxisë më tej gjuetinë e paligjshme.
Referuar censit të fundit të shpendëve ujorë dimërues, Laguna e Nartës popullohet nga rreth 14 mijë e 700 shpendë, duke e bërë këtë zonë një nga habitatet më të rëndësishme në vend./Shqiptarja


