Vrau policin 28-vjeçar, Azgan Mërnica i shpëton burgut përjetë

Gjykata e Apelit me juridiksion të përgjithshëm ka dënuar me 35 vite burg Azgan Mërnicën, i cili vrau me armë zjarri, policin e forcave “Shqiponja”, 28-vjeçarin, Novruz Cenalia.
Më herët Gjykata e Fierit e kishte dënuar Mërnicën me burgim te përjetshëm. Prokuroria e akuzoi Mërnicën për veprat penale “vrasje e punonjësit të Policisë së Shtetit”, “armëmbajtje pa leje” dhe “drejtim i automjetit në mënyrë të parregullt”.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 13 maj të vitit 2024, në fshatin Baltëz të Fierit. I ndjeri Cenalia kishte tre vjet që mbante uniformën e forcave “Shqiponja”. Konflikti mes viktimës dhe Azgan Mërnicës, për shkak se ky i fundit teksa i jepte makinë, u fut në kthesë me shpejtësi të lartë, pa e kontrolluar rrugën.
Polici i ka tërhequr vëmendjen për këtë veprim, ndërsa Mërnica ka zbritur nga makina me çantën ku kishte futur armën. E ka qëlluar në fytyrë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Mërnica u vetëdorëzua pas 48 orësh në arrati, pas negociatave të policisë me familjarët e tij. Në momentin e arrestimit dhe para tokave të zeza tha se nuk ishte i penduar për ngjarjen. Video e tij e arrestimit dhe dëshmia para autoriteteve ngjalli reagim dhe zemërim në opinion publik.


