Zbardhet dosja/ Lene Prroni dyshohet se u përdor nga Prek Kodra për 10 kapanonet pa leje në Theth! Prokuroria nuk...
Detaje të reja janë zbuluar në lidhje me ndërtimin pa leje të 10 kapanoneve në fshatin turistik të Thethit, të denoncuara më parë në prokurori nga autoritetet lokale, por që kjo e fundit nuk nisi asnjë hetim. Burime bëjnë me dije se ka dyshime të forta se shtetasja Lene Prroni, e cila është pronarja e tokës ku janë vendos kapanonet, është përdorur nga i kërkuari i drejtësisë Prek Kodra.
Ky i fundit dyshohet se ka investuar për vendosjen në mënyrë të paligjshme të këtyre objekteve që përdoren për turizëm me qëllim përfitim monetar, por në letra rezulton emri i të moshuarës. Ndërkohë që ky biznes turistik i ngritur kundër ligjit, administrohet nga djali i saj.
Sipas dosjes së prokurorisë, e cila ka dhënë vendim për të mos nisur hetimet për këto objekte, e moshuara ka kërkuar leje në bashki por nuk ia kanë dhënë pasi nuk ka të drejtë ta përfitojë. Edhe pse objektet sipas autoriteteve vendore janë pa leje, prokuroria e Shkodrës me në krye prokuroren e çështjes Elsa Gjeli, thotë ndër të tjera se nuk ka nisur një hetim, pasi objektet janë pa themele.
Prek Kodra, është një emër i njohur për botën e krimit i cili ka dalë në dosjen ‘Metamorfoza’, ku nga hetimet ka rezultuar se ky i fundit kishte planifikuar vrasjen e Albin Kurtit dhe dy politikanëve të tjerë nga Kosova.
Në arsyetimin e saj për mosnisje të hetimeve, Prokuroria e thekson: Në nenin 199/a të Kodit Penal është parashikuar figura e veprës penale “Ndërtim i paligjshëm”. Në këtë dispozitë ligjore parashikohet në mënyrë qartë se:
“1. Ndërtimi i kryer pa leje, në shkelje të rëndë të lejes ose në kushtet e një lejeje të shfuqizuar në tokën në pronësi të vet, dënohet me burgim deri në një vit.
2. Po kjo vepër, e kryer për plotësimin e nevojave për strehim sipas ligjit, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre muaj.
3. Po kjo vepër, e kryer në tokën publike ose shtetërore apo në tokën e tjetrit, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.
4. Po kjo vepër, kur ka sjellë pasoja të rënda apo e kryer për qëllime fitimi, dënohet me burgim nga tre deri në tetë vjet.”.
Në lidhje me objektin e veprës penale, theksohet se vepra penale objekt hetimi është parashikuar nga Kodi Penal në pjesën e posaçme të tij, në Kreun II, Seksioni XI, të titulluar “Vepra penale që cënojnë regjimin juridik të tokës”.
Objekt i këtyre veprave janë marrëdhëniet juridike të vendosura për të mbrojtur regjimin juridik të tokës, paprekshmërinë e saj, si edhe destinacionin e përcaktuar dhe mënyrën e menaxhimit të tokës. Në mënyrë të posaçme, neni 199/a, si pjesë e këtij seksioni, synon të mbrojë paprekshmërinë e tokës, nga ndërtimet e paligjshme të kryera në tokën e të pandehurit apo të personave të tjerë.
Pra, objekti i kësaj vepre është toka si një send i veçantë në qarkullimin civil si dhe regjimi i ndërtimeve. Sikurse do të analizohet edhe në anën objektive të kësaj figure penale, nuk rezulton që ky objekt të jetë cënuar nga veprime të kundraligjshme të personave të caktuar.
Në lidhje me anën objektive (actus reus), ajo është element i domosdoshëm për përgjegjësinë penale sepse, nëse nuk ka veprim ose mosveprim të dënueshëm nuk ka vepër penale.
Pra, nga përmbajtja e nenit 199/a të Kodit Penal rezulton se një element i domosdoshëm i figurës së veprës penale është ndërtimi pa leje si dhe vendi ku ndërtohet, që lidhet domosdoshmërisht me tokën. Qëllimi i ligjvënësit nëpërmjet kësaj figure të veprës penale ka qenë të mbrojë regjimin juridik të tokës dhe ndërtimeve, nga ndërtimet pa leje.
Neni 199/a i Kodit Penal është një dispozitë blankete, që të referon në ligje të tjera, për të kuptuar nocionet “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Tokë”. Po ashtu, për të përcaktuar nëse ligjvënësi nëpërmjet kësaj dispozite ka si qëllim të penalizojë çdo ndërtim pa leje, si shtesa pa leje, ndërtime jashtë projektit, shtesa katesh pa leje apo ka për qëllim të mbrojë vetëm ato ndërtime që ndërtohen mbi tokë, vlerësohet se duhet të japë kuptimin e ndërtimit të paligjshëm dhe kuptimin e tokës.
Koncepti i ndërtimit pa leje jepet në ligjin nr. 9482, datë 3.4.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, i ndryshuar. Në nenin 3, nën titullin “Përkufizime” të këtij ligji, parashikohet shprehimisht se: “…a) “Ndërtim pa leje” është objekti, për të cilin është përfunduar konstruksioni dhe mbulesa, i destinuar për banim, veprimtari ekonomike dhe/ose funksione të tjera (si për shembull, social-kulturor, arsim, shëndetësi e të tjera të këtij lloji), për të cilin nuk janë respektuar procedurat e përcaktuara në ligjin nr. 8405, datë 17.9.1998 “Për urbanistikën”.
Më tej Prokuroria thekson:
Si pasojë, këto punime, kategorizohen si ndërhyrje të cilat nuk kanë domosdoshmëri për t’u pajisur me leje ndërtimi, por me deklaratë paraprake punimesh, të normuara dhe të disipinuara me anë të nenit 7, pika 3 të VKM nr. 408, datë 13.05.2015, e ndryshuar “Punime të tjera”: i. struktura që instalohen për nevoja të çastit dhe/ose të përkohshme, pa themele, me materiale të çmontueshme, pa përdorur struktura beton-armeje, blloqe betoni, muratura e soleta dhe që hiqen në çdo rast, brenda një afati kohor maksimal 12-mujor nga momenti i lëshimit.
Vetë Policia Gjyqësore në informacion e referuar nga ana e saj ka theksuar se edhe Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit Shkodër në shkresën e dërguar Komisariatit të Policisë Shkodër, ka përcaktuar se fakti përbën kundravajtje administrative, pra nuk e ka kallëzuar si një krim.
Pra, në analizë të legjislacionit të përmendur më lart veprimet e kryera, nuk janë veprime të cilat cënojnë anën objektive të veprës penale “Ndërtim i paligjshëm”, parashikuar nga neni 199/a të Kodit Penal. Në këto kushte, kur mungon pasoja si element i domosdoshëm i anës objektive të kësaj vepre penale (nuk kemi ndërtim të paligjshëm), kryerja e këtyre punimeve nuk përbën objekt material të kësaj vepre penale dhe për rrjedhojë fakti nuk parashikohet nga ligji si vepër penale.
Në lidhje me subjektin (aktiv) të veprës penale, vlerësohet se në rastin konkret plotësohet ky element, patur parasysh nenin 12 të Kodit Penal ka parashikon se “Ka përgjegjësi penale personi që në kohën e kryerjes së një krimi ka mbushur moshën katërmbëdhjetë vjeç. Personi që kryen një kundërvajtje penale ka përgjegjësi kur ka mbushur moshën gjashtëmbëdhjetë vjeç”.
Përsa i përket anës subjektive të kësaj figure krimi, fillimisht evidentohet se ky element i figurës së veprës penale lidhet me qëndrimin psikik që mban personi kundrejt veprës së kryer prej tij. Ana subjektive karakterizohet nga dy elementë përbërës: Faji, pa të cilin nuk mund të ketë përgjegjësi penale “nullum crimen, nulla poena sine culpa ” (neni 4 i Kodit Penal), në dy format e tij dashjen dhe pakujdesinë, si dhe nga motivet dhe qëllimet.
Figura e veprës penale “Ndërtim i paligjshëm”, parashikuar nga neni 199/a i Kodit Penal kërkon si formë faji dashjen e drejtëpërdrejtë. Gjithashtu, vlerësohet se, ana subjektive e figurës së veprës penale zbulohet dhe qartësohet nëpërmjet anës objektive, sepse proceset e brendshme psikike dhe psikologjike jo vetëm që ngacmohen nga faktorë të jashtëm, por edhe materializohen në veprimtarinë kriminale gjatë dhe nëpërmjet procesit të zhvillimit të anës objektive.
Në këto kushte, përderisa nuk provohet se ka fakt penal, atëherë nuk kemi as faj, pasi mungon si elementi intelektual ashtu dhe ai volutiv, që të ekzistojë faji si element thelbësor i përgjegjësisë penale.
Për të pasur një figurë konkrete të veprës penale është e domosdoshme ekzistenca e të gjithë elementëve përbërës të saj të marra së bashku, të cilët janë: a) objekti i veprës penale; b) ana objektive; c) subjekti dhe ç) ana subjektive. Provueshmëria e elementëve objektive dhe subjektive të figurës së veprës penale, shërben si bazë për të vënë një person përpara përgjegjësisë penale. Gjithashtu, vepra penale e kryer në mënyrë të plotë, atëherë kur ekzistojnë të katër elementët e saj: objekti, ana objektive, subjekti dhe ana subjektive.
Nëse mungon njëri prej këtyre elementëve, vepra penale nuk ekziston./tch