"Drejtorët ikën vetë", kryebashkiaku i Vlorës: Rama s`ua kërkoi dorëheqjen
Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha ka folur për herë të parë pas kritikave publike të kryeministrit Edi Rama, gjatë ditëve të fundit.
Në një intervistë, Dredha i cilësoi këto kritika si normale dhe në funksion të përmirësimit të jetës së qytetarëve të Vlorës, duke shtuar se ndjehet më i motivuar për të punuar dhe aspak i fyer nga kjo iniciativë. Ai theksoi se duhet të përpiqen të jenë në lartësinë e duhur për të ofruar shërbimin që qytetarët meritojnë.
“Kjo situatë nuk mund të vazhdojë pafundësisht, pasi problematika është e trashëguar prej vitesh. Të gjithë zyrtarët që punojnë në administratën bashkiake duhet të jenë sy e vesh në monitorimin e hapësirave publike.
Funksionarët duhet të jenë të kujdesshëm në ndjekjen e detyrës, ndërsa gjatë inspektimeve në terren kuptuam se disa prej tyre nuk e kishin përmbushur misionin e tyre,”– tha Dredha.
Bashkia Vlorë po nëpërkëmbet? Rama i përgjigjet gazetarit: Ky institucion po abuzon me qytetarët çdo ditë.
Duke folur për konkretisht për aksionin, ai u shpreh se problematika qëndron te tejkalimi i lejeve nga ana e bizneseve, të cilat nuk respektojnë parashikimet kontraktuale. Sipas tij, po vërehet një përgjigje pozitive nga bizneset, të cilat po i binden ligjit.
“Janë marrë masa me gjoba, ndërkohë që vetë bizneset kanë ndërmarrë hapin për të liruar hapësirat që kishin zaptuar ose, thënë ndryshe, të marra peng. Po mendojmë që tendat të unifikohen për t’i sjellë në standard, ashtu siç ka qenë parashikuar në projektin e Lungomares,”– deklaroi ai.
Sa i përket dorëheqjeve të disa drejtorëve, Dredha tha se ato kanë qenë vullnetare dhe nuk kanë ardhur si kërkesë nga kryeministri.
“Ne bëmë një analizë, pasi bashkërendojmë punën me qeverinë për të mirën e qytetit dhe shkëmbejmë ide e mendime. Kërkesa për llogari është më se normale nga ana e kryeministrit, sepse ai ka dëshirën e mirë për t’i shërbyer qytetit.
Nuk ka asgjë problematike në këtë pjesë, përkundrazi, është diçka pozitive. Nuk është e vërtetë se kryeministri u ka kërkuar dorëheqjen drejtorëve dhe as nuk i ka takuar”-, u shpreh Dredha.