Zbardhet skema e atentatit në Lezhë: Një makinë u preu rrugën, dy persona dolën me kallashnikov dhe qëlluan me breshëri

Detaje të reja janë zbardhur nga atentati i ndodhur këtë të diel në Balldren të Lezhës, ku 39-vjeçari Kreshnik Mujeci, së bashku me bashkëshorten e tij, Gentjana Mujeci, mbetën të vrarë me breshëri plumbash.
Automjeti është bërë shoshë nga plumbat, ku nga verifikimet paraprake, sipas grupit hetimor, është qëlluar mbi 30 plumba në drejtim të makinës ku udhëtonin burrë e grua. Sipas verifikimeve dhe hetimeve paraprake nga grupi hetimor, dyshohet se autorët kanë lëvizur me dy mjete, pasi kanë vëzhguar dhe monitoruar pothuajse të gjitha lëvizjet e viktimës ditën e sotme.
Mësohet se çifti, i cili po lëvizte në drejtim të Torovicës së Lezhës, në fshatin Balldren, është penguar nga një automjet që u ka prerë rrugën, duke detyruar Kreshnik Mujecin të ndalonte makinën.
Në këtë moment, nga një tjetër automjet, i cili raportohet se ishte pa targa, kanë dalë dy persona të armatosur me kallashnikovë dhe kanë qëlluar me breshëri plumbash në drejtim të çiftit Mujeci, duke i lënë të vdekur në vend.
Mësohet se 39-vjeçari dhe bashkëshortja e tij ka qenë duke drekuar në një restorant dhe autorët i kanë vëzhguar që në momentin që kanë dalë nga ambientet e lokalit.
Po ashtu, bëhet me dije se policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë dhe po punon me pamjet për të krijuar një identikit të autorëve të dyshuar.
Deri më tani raportohet se pista kryesore e policisë është hakmarrja, pasi viktima, Kreshnik Mujeci, është akuzuar për pjesëmarrje në vrasjen e Genc Mhillajt në vitin 2016.
Më herët, për atentatin ka reaguar edhe Policia e Shtetit, e cila theksoi se po punohet intensivisht për fiksimin e çdo prove që do t’i shërbejë hetimit, me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin ligjor, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Po ashtu, u mësua se çifti Kreshnik dhe Gentjana Mujeci janë prindër të katër fëmijëve të mitur.


