Zjarri përpin banesën në Libohovë të Gjirokastrës, dëme të shumta materiale, zjarrfikësit vënë nën kontroll flakët

Një ngjarje e rëndë është shënuar në Libohovë të Gjirokastrës, ku një banesë në lagjen “Krakull”, në pronësi të familjes Çaushi, është përfshirë nga flakët.
Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se zjarri është shkaktuar nga soba e gatimit, ndërsa flakët kanë përfshirë banesën duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Në vendngjarje kanë ndërhyrë shërbimet zjarrfikëse, të cilat kanë punuar për neutralizimin e flakëve dhe parandalimin e përhapjes së zjarrit në banesat përreth.
Për fat të mirë, nga informacionet paraprake nuk raportohet për persona të lënduar. Ndërkohë, pritet që të përcaktohen më saktë shkaqet dhe rrethanat e zjarrit.


