Drogë me ‘delivery’/ Arrestohet 21-vjeçari shqiptar, nga kontrollet gjenden 5 mijë euro poshtë dyshekut dhe 70 doza…

Bota

Drogë me ‘delivery’/ Arrestohet 21-vjeçari shqiptar, nga

Policia italiane në Treviso ka arrestuar një tjetër shtetas shqiptar për trafik droge, vetëm pak ditë pas prangosjes së dy shqiptarëve të tjerë për të njëjtën veprimtari.

21-vjeçari shqiptar u kap në Roncade, teksa po i shiste një dozë kokaine një blerësi italian kundrejt pagesës prej 60 eurosh. Arrestimi u krye nga skuadra mobile e Trevisos, në kuadër të operacioneve kundër shpërndarjes së drogës me metodën “delivery”, që sipas autoriteteve po përhapet gjithnjë e më shumë në zonë.

Gjatë kontrollit, policia zbuloi poshtë makinës që drejtonte i riu një enë metalike me magnet, e fshehur në pjesën e poshtme të automjetit. Brenda saj ndodheshin edhe 70 doza të tjera kokaine, të ndara dhe gati për shitje.

Kontrollet vijuan edhe mbi personin dhe në banesën e tij. Agjentët sekuestruan 880 euro cash që shqiptari mbante me vete, ndërsa në dhomën e tij u gjetën edhe 5 mijë euro të fshehura poshtë dyshekut të krevatit. Tufa e parave ishte në prerje 10, 20 dhe 50 euroshe.

Sipas policisë italiane, rrjeti funksiononte me takime të organizuara përmes telefonit, ndalesa të shpejta dhe dorëzime të drogës direkt nga dritarja e makinës, për të shmangur kontrollet dhe për të qenë vazhdimisht në lëvizje.

Sipas autoriteteve italiane, arrestimi është pjesë e një operacioni të zgjeruar kundër trafikut të drogës në provincën e Trevisos, të urdhëruar nga shefja e policisë Alessandra Simone. Hetuesit dyshojnë se rrjeti përdorte komunikime të koduara në telefon për organizimin e shitjeve dhe lëvizte vazhdimisht për të shmangur vëzhgimin e policisë.

Pas arrestimit, 21-vjeçari shqiptar është vënë në dispozicion të autoriteteve gjyqësore italiane dhe pritet të dalë para gjykatës në seancën dëgjimore të drejtpërdrejtë.

ME TE LEXUARAT