“Kemi punuar gjatë për këtë moment”, Rama nga Brukseli: Pro anëtarësimit dhe pa të drejtë vetoje

Këtë të martë, më 26 maj, po zhvillohet në Bruksel Konferenca e 8-të Ndërqeveritare, mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, e cila hap zyrtarisht rrugën për kalimin e vendit tonë në fazën përmbyllëse të negociatave për anëtarësim në BE.
Kryeministri Edi Rama ka folur shkurtimisht për mediat pak para nisjes së konferencës, ku tha se Shqipëria ka pritur shumë gjatë dhe ka punuar shumë për këtë moment.
“Është një moment shumë shumë i rëndësishëm në rrugëtimin tonë drejt anëtarësimit dhe është një moment për të cilin kemi punuar shumë fort qysh prej një kohe të gjatë. Dhe është një moment ku gjysma e punës nëse duhet ta them kështu e kapitujve të hapur do të mbyllet dhe gjysma tjetër e mbylljes do të hapet.“, tha Rama.
I pyetur nga një gazetar lidhur me opsionin e anëtarësimit të Shqipërisë fillimisht pa të drejtën e vetos, kryeministri u shpreh: “Unë në fakt i kam përmendur, kam qenë kampion i qasjeve të ndryshme në të kaluarën sepse kam mësuar se kapaciteti për të vazhduar zgjerimin, siç ka ndodhur më përpara nuk është aty, në kryeqytetet e rëndësishme dhe është shumë e qartë nga ana tjetër që nëqoftëse bëhet si duhet është gjëja e duhur për t’u bërë. Pra e mbështes, por duhet të diskutohet, duhet konceptuar ashtu siç duhet sepse nuk ka të bëjë me një anëtarësim të lehtë. Ka të bëjë së pari me një union real politik dhe së dyti me një rrugëtim të anëtarësimit të plotë me të drejta të plota bashkë me reformat e nevojshme të Bashkimit Europian.”
Ndërsa pyetjes se sa kohë do të duhet të kalojë që Shqipëria të pranojë që mos të ketë fuqinë e vetos, Rama iu përgjigj: “Dëgjoni, Shqipëria është një vend që gjithmonë ka qenë 100% në përputhje me politikën e jashtme të BE-së, kështu që nuk kemi ndjerë ndonjë kënaqësi të përfytyrojmë të kemi veto, duke qenë vendi më pro Bashkimit Evropian e më pro atlantik në Evropë dhe kur them vendi më pro BE-së flas për barometrin e BE-së, nuk flas për atë që mendojmë ne. Ne jemi fanatikë të BE-së, kështu që fanatikët e BE-së nuk mund të vënë veto për vendimet e BE-së.”
Pak më herët, kreu i qeverisë shqiptare u prit në Bruksel nga kryeministri i Belgjikës, Bart De Weber. Më poshtë janë dhe pamjet nga kjo pritje.
Kjo konferencë vjen pas vendimit të Komitetit të Përfaqësuesve të Përhershëm të shteteve anëtare të BE-së (COREPER), i cili konfirmon përmbushjen e objektivave të ndërmjetëm në grupkapitullin “Themeloret”, si dhe përcakton objektivat përmbyllës për Kapitullin 23, “Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore”, dhe Kapitullin 24, “Drejtësia, Liria dhe Siguria”.
Sipas agjendës zyrtare, Hapja e Konferencës Ndërqeveritare do të bëhet rreth orës 19:00, ndërsa në përfundim të takimit pritet të zhvillohet edhe një konferencë për shtyp. Kjo pritet të zhvillohet rreth orës 20:15
Kujtojmë se takimi paraardhës i këtij niveli u mbajt në nëntor të vitit 2025, kur u hap grup-kapitulli i fundit i negociatave me BE, “Bujqësia dhe Kohezioni”. Gjë që sipas kreut të qeverisë u arrit në një kohë rekord, për vetëm 12 muaj!
Viti që lamë pas shënoi një sërë momentesh kyçe sa i takon këtij procesi, që pikënisjen e pati në korrik të 2022-it, kur u çelën negociatat. 16 vjet pas firmosjes së marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, u bë realitet ëndrra e kahershme e shqiptarëve për rrugëtimin e vendit drejt Unionit.
Megjithatë, siç e ka deklaruar edhe Komisionerja për Zgjerimin e BE-së, Marta Kos, “tanimë mbyllja e grup-kapitujeve është çmimi real për Shqipërinë”.
“Vijoni me reformat”, ka qenë apeli i vazhdueshëm nga ndërkombëtarët, por realizimi i të gjithë detyrave mbetet një proces kompleks. Vetë kryeministri ka deklaruar se ka disa fusha ku nevojitet më shumë punë.
“Sfida e sfidave”, për të është grup-kapitulli që lidhet me sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e konsumatorit.


