Tërmet politik në Gjermani, humbja e CDU-së rrezikon postin e kancelarit Merz

Zgjedhjet lokale që po zhvillohen këtë të diel në dy lande të Gjermanisë mund të shtojnë ndjeshëm presionin politik ndaj kancelarit Friedrich Merz, pasi sondazhet tregojnë se partia e tij, Bashkimi Kristian Demokrat (CDU), rrezikon rezultate të dobëta në Berlin dhe Mecklenburg-Vorpommern.
Në Berlin, CDU-ja po përballet me një garë të fortë me partinë Die Linke për vendin e parë, ndërsa në Mecklenburg-Vorpommern konservatorët ndodhen pranë pragut prej 5% që nevojitet për të hyrë në parlamentin e landit. Një rezultat i tillë do të përbënte një goditje të rëndë për CDU-në dhe mund të ishte rezultati i saj më i dobët në historinë e zgjedhjeve në këtë land.
Zgjedhjet vijnë vetëm dy javë pas fitores së rëndësishme të partisë së ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AfD), në Saksoni-Anhalt, ku CDU-ja përgjysmoi rezultatin e saj. AfD-ja synon të vazhdojë këtë hov edhe në Mecklenburg-Vorpommern, ndërsa sondazhet e kanë vendosur në garë për vendin e parë.
Në krahun tjetër, socialdemokratët e SPD-së kanë rikuperuar terren në ditët e fundit, të udhëhequr në nivel lokal nga kryeministrja e landit, Manuela Schuesig. Ajo po përpiqet të mobilizojë votuesit që kundërshtojnë AfD-në, duke përdorur edhe sloganin “Die Frau gegen Blau”, ose “Gruaja kundër blusë”, në referencë të ngjyrës së AfD-së.
Rezultati i zgjedhjeve shihet me vëmendje edhe për shkak të ndikimit që mund të ketë në pozitat e Merz brenda CDU-së. Kancelari ka vetëm rreth 16 muaj në pushtet, por përballë tij janë shtuar diskutimet për rënien e mbështetjes ndaj partisë dhe për të ardhmen e tij politike. Në Gjermani është spekuluar edhe për mundësinë e një ndryshimi të kancelarit gjatë mandatit, megjithëse deri tani nuk ka një sfidues të hapur brenda CDU-së dhe Merz ka deklaruar se do të vazhdojë në detyrë.
Rënia e popullaritetit të CDU-së vjen në një periudhë të vështirë për Gjermaninë, e cila po përballet me probleme ekonomike, kosto të larta të energjisë dhe debate të forta mbi emigracionin. Mbështetësit e Merz argumentojnë se ai ka trashëguar një pjesë të këtyre problemeve dhe se qeveria e tij është përballur me një situatë të vështirë ndërkombëtare.
Megjithatë, politika e tij për emigracionin, e zhvendosur më në të djathtë, nuk duket se ka dobësuar mbështetjen për AfD-në, ndërsa njëkohësisht ka shkaktuar pakënaqësi te një pjesë e elektoratit më liberal dhe të majtë. Edhe mënyra e drejtpërdrejtë e komunikimit të kancelarit ka shkaktuar kritika, veçanërisht pas deklaratave të tij se gjermanët duhet të punojnë më shumë dhe të marrin më pak leje mjekësore.


