Aksidenti me 3 viktima në Greqi/ Makina u përplas me kamionin, dyshohet se përplasja mund të jetë e qëllimshme

Bota

Aksidenti me 3 viktima në Greqi/ Makina u përplas me kamionin,

Një aksident tragjik ka ndodhur në rrugën Egnatia në Greqi ditën e sotme (18 gusht), ku viktima kanë mbetur 3 shqiptarë dhe një i katërt (grua), u plagos rëndë teksa mjeti i tyre shpërtheu në flakë pas goditjes.

Pamjet rrënqethëse të aksidentit u shpërndanë me shpejtësi në rrjete sociale dhe media, teksa një prej mjeteve u përfshi i gjithi nga flakët, duke karbonizuar trupat e viktimave.

Media greke informon se aksidenti i trafikut ndodhi rreth mesditës (11:00), në kilometrin 537.5 të autostradës Egnatia, midis Komotini dhe Xanthi, në pikën e pagesës Iasmos, kur një kamion u përplas me dy makina, të cilat ishin të ndalura në një radhë 600 metrash, duke rezultuar në vdekjen e tre personave dhe plagosjen e rëndë të 2 të tjerëve dhe më lehtë për 4 të tjerë. Po hetohet nëse ky aksident ka qenë i qëllimshëm, pasi rrethanat e ngjarjes janë dyshuese. Mjetet shpërthyen në flakë pas përplasjes - duke rezultuar në karbonizimin e tre nga katër pasagjerëve në njërën prej makinave.

Konkretisht, sipas informacioneve, kamioni thuhet se u përplas ballë për ballë me automjetin përpara tij, i cili u përfshi nga flakët. Në bord ndodheshin 4 shqiptarë rezidentë më Athinë, një burrë 59-vjeçar (drejtues), një burrë 61-vjeçar (pasagjer), një grua 57-vjeçare dhe një grua tjetër 49-vjeçare. Tre të parët u karbonizuan, ndërsa e fundit arriti të dilte vetë nga makina. Mjeti tjetër i përfshirë në aksident mbante 4 të afërm grekë, gjithashtu banorë të Athinës, një shofer 36-vjeçar, një pasagjer 28-vjeçar dhe dy djem të moshës 4 dhe 5 vjeç. Të gjithë u dërguan në spitalin e Komotinit me lëndime të lehta.

Megjithatë, raportohet se shoferi bullgar i kamionit është plagosur rëndë. Zjarri u përhap edhe përreth Autostradës Egnatia, në zonat rurale. Menjëherë u mobilizuan zjarrfikësit dhe policia, të cilët nxituan në zonë me forca të shumta, së bashku me tre ambulanca EKAB.  Nga pamjet e publikuara dallohen mjetet e përlmbysura dhe në flakë dhe vatra e zjarrit që përhapet, e favorizuar edhe nga era, teksa njerëzit vrapojnë.

Pak pas orës 16:00, përfundoi devijimi i përkohshëm i trafikut të automjeteve në autostradën Egnatia Komotini-Xanthi, i cili kryhej nëpërmjet rrjetit kombëtar Komotini-Porto Lagos-Xanthi.

ME TE LEXUARAT