Avionët mbeten ‘pezull’ në qiell. Moti i keq anulon mbi 200 fluturime në Stamboll!

Perkeqesimi i kushteve te motit në Stamboll paralizuan trafikun ajror në Aeroportin Sabiha Gökçen. Pas një vendimi të Komitetit të Emergjencave Meteorologjike (MADK), mbi 200 fluturime që i përkisnin linjave ajrore Pegasus dhe AJet u anuluan të dielën, më 29 mars.
Për shkak të dukshmërisë së reduktuar dhe shiut të rrëmbyeshëm, shumë avionë u detyruan të bënin rrotullime në ajër, ndërsa ata avionë që u mbaronte karburanti u devijuan për në Aeroportin e Stambollit dhe aeroportet përreth.
Pegasus Airlines njoftoi anulimin e gjithsej 153 fluturimeve që niseshin dhe mbërrinin në Aeroportin Sabiha Gökçen.
Kompania deklaroi se mund të ketë anulime dhe ndryshime të drejtimit, nëse kushtet e pafavorshme të motit vazhdojnë. Për të minimizuar shqetësimet për pasagjerët, u njoftua se pasagjerët mund të bëjnë ndryshime dhe anulime falas përmes aplikacionit celular dhe faqes së internetit.
Fluturimet ndërkombëtare që janë anuluar:
'Fluturimet PC 995 nga Stambolli për në Frankfurt dhe PC 996 nga Frankfurti, fluturimet PC 316 dhe PC 317 në linjën Tbilisi, fluturimet PC 326 dhe PC 327 për në Ganja, fluturimet PC 1281 dhe PC 1282 për në Stokholm, fluturimet PC 375 dhe PC 376 për në Zagreb, dhe fluturimet PC 941 dhe PC 942 për në Bazel janë anuluar.'
Këshilltari për Shtyp i AJet, Mehmet Yeşilkaya, njoftoi se u zbatuan kufizime operacionale për shkak të kushteve të këqija të motit. Si rezultat, 51 fluturime të AJet me nisje nga Aeroporti Sabiha Gökçen u anuluan, ndërsa 11 fluturime u devijuan në aeroporte të tjera. Yeşilkaya theksoi se siguria e fluturimit nuk ishte kompromentuar dhe u bëri thirrje pasagjerëve të ndjekin kanalet zyrtare për të qenë të informuar.
Autoriteti i Aeroportit Sabiha Gökçen (HEAŞ), bazuar në të dhënat e marra nga Drejtoria e Përgjithshme e Meteorologjisë, tregoi se kufizimet mund të mos jenë në fuqi vetëm në ditën e sotme.
Deklarata zyrtare tha se kushtet e pafavorshme meteorologjike do të vazhdojnë të ndikojnë në trafikun e fluturimeve më 29 dhe 30 mars, dhe për këtë arsye anulimet mund të vazhdojnë. Për shkak të shumë aeroplanëve që nuk mund të ulen në Aeroportin Sabiha Gökçen dhe që po devijohen në Aeroportin e Stambollit, të dy aeroportet po përjetojnë mbingarkesë.


