Drejtonte rrjetin e trafikut në Itali, shqiptari kapet me 22 kg kokainë dhe arsenal armësh

Bota

Drejtonte rrjetin e trafikut në Itali, shqiptari kapet me 22 kg

Karabinierët italianë kanë finalizuar një operacion antidrogë në qytetin e Astit, ku u sekuestruan rreth 22 kilogramë kokainë dhe një arsenal armësh të paligjshme. Në pranga ka rënë një 47-vjeçar shqiptar, i dyshuar si pjesë dhe drejtues i një rrjeti të trafikut të drogës.

Operacioni kishte nisur disa ditë më parë, ndërsa kontrolli i parë u zhvillua në banesën e të dyshuarit në Via Vayra. Gjatë tij u gjet një sasi e vogël lëndësh narkotike dhe tre pistoleta të shpërndara në apartament, garazh dhe automjet.

Hetimet më pas çuan policinë në një pronë tjetër në Via Pallio, ku u zbulua pjesa kryesore e ngarkesës: 22 kg kokainë, e paketuar me logo dhe stampa të markave të njohura, e dyshuar si e destinuar për tregun e shpërndarjes së organizuar. Droga, sipas autoriteteve, do të përkthehej në rreth 100 mijë doza me një vlerë të përafërt prej 5 milionë eurosh.

Përveç drogës, u sekuestruan edhe pesë pistoleta (njëra me numër serial të gërryer), një silenciator i prodhuar në mënyrë artizanale, mbi 200 fishekë, përfshirë municione lufte, si dhe pajisje për peshimin dhe paketimin e lëndëve narkotike.

I arrestuari është dërguar në burgun e Alessandrias, ndërsa hetimet vijojnë për të zbuluar rrjetin e plotë të trafikut.

Sipas karabinierëve, operacioni është rezultat i një pune të gjatë vëzhgimi në terren, ku janë ndjekur lëvizje dhe kontakte të dyshimta në zonë, duke çuar gradualisht në goditjen e rrjetit.

ME TE LEXUARAT