SHBA tërhiqet nga rregullat e vendosura më herët për ‘Green Card’: Nuk do të zbatohen për të gjithë, por…

Qeveria amerikane ka përmbysur vendimin e shpallur më 22 maj, i cili do t’u kërkonte aplikantëve për statusin e rezidentit të përhershëm të përfundonin procesin ndërsa ndodhen në vend, pas një vale protestash. Departamenti i Sigurisë Kombëtare, i cili mbikëqyr imigracionin, njoftoi se politika e re nuk do të zbatohej për të gjithë aplikantët për karta jeshile, por do të zbatohej “rast pas rasti”.
“Ishte thjesht një kujtesë për punonjësit që të përdorin diskrecionin e tyre kur të marrin vendimin nëse do t’u kërkonin apo jo kandidatëve të largoheshin nga SHBA-ja në mënyrë që të dorëzonin aplikimin e tyre nga jashtë vendit.”-u tha në njoftim.
Vetëm javën e kaluar, Shërbimet e Shtetësisë dhe Imigracionit të SHBA-së (USCIS) njoftoi se një shtetas i huaj që banon përkohësisht në Shtetet e Bashkuara dhe që dëshiron të marrë një kartë jeshile duhet të kthehet në vendin e tij të origjinës për të aplikuar, përveç në rrethana të jashtëzakonshme.
“Mbajtësit e vizave me afat të kufizuar, siç janë studentët, punëtorët sezonalë ose turistët, qëndrojnë në Shtetet e Bashkuara për një periudhë të shkurtër kohore dhe për një arsye specifike. Sistemi është projektuar në mënyrë që ata të largohen kur të mbarojë qëndrimi i tyre. Qëndrimi i tyre nuk mund të shërbejë si hapi i parë drejt një karte jeshile”, shpjegoi zëdhënësi i USCIS, Zach Kaler.
Shumë grupe për të drejtat e emigrantëve dhe firma ligjore shprehën habi për masën, e cila ka shkaktuar konfuzion midis kandidatëve për kartë jeshile. Përfaqësuesi Demokrat Chai Garcia e quajti politikën e re “të paarsyeshme dhe mizore”.
“Do të detyrojë mijëra emigrantë të ligjshëm, siç janë bashkëshortët e qytetarëve amerikanë, të largohen nga shtëpitë, familjet dhe punët e tyre për javë ose edhe muaj për të marrë një kartë jeshile jashtë Shteteve të Bashkuara”, shpjegoi ai.
Sipas Washington Post, Shtetet e Bashkuara lëshojnë mbi një milion karta jeshile çdo vit. Deri më sot, më shumë se gjysma e aplikantëve janë tashmë në tokën amerikane.


