Forcat amerikane njoftojnë se bllokada e Hormuzit ka hyrë në fuqi
Komanda Qendrore e forcave amerikane ka thënë se bllokada e Ngushticës së Hormuzit ka hyrë në fuqi dhe se luftanijet amerikane janë tani duke ndaluar të gjithë trafikun që shkon drejt apo vjen nga portet iraniane.
Edhe pse Shtetet e Bashkuara ende nuk i kanë publikuar rregullat të cilat do të përcaktojnë se çfarë hapa do të ndërmarrë marina amerikane në rast se ndonjë anije tenton ta thyejë bllokadën, besohet se Komanda Qendrore u ka dhënë autoritet kapitenëve të luftanijeve që të përdorin forcë kur e konsiderojnë atë të domosdoshme.
Ndërkohë, Irani e ka dënuar bllokadën amerikane të ngushticës, duke thënë se Amerika, me këtë veprim, ka kryer një akt të barabartë me piracinë, ndërsa Garda Revolucionare edhe një herë tha se do të shënjestrojë çdo luftanije amerikane që i afrohet ngushticës dhe shtoi se përfshirja e këtyre anijeve në çfarëdo veprimi kundër anijeve të tjera do të shihet si shkelje e armëpushimit.
Njëkohësisht, zyrtarët në Teheran thanë se nuk do të dorëzohen para kërcënimeve amerikane.
Fillimi i bllokadës së Hormuzit nga ana e marinës së SHBA-së u prit me drojë edhe nga aleatët amerikanë. Kryeministri britanik Starmer ka thënë se nuk e përkrah një gjë të tillë, ndërsa Ursula von der Leyen tha se rikthimi i lirisë së lëvizjes në Hormuz është i një rëndësie të madhe.
Njëkohësisht, ekonomistët paralajmërojnë se kjo bllokadë mund të shkaktojë rritje edhe më të madhe të çmimeve të naftës.