Vodhi 40 mijë paundë nga dollapi i marketit! Zbulohen detajet: Gruaja mori çelësin disa ditë më parë

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me vjedhjen e 40 000 paundëve në një market në Tiranë, një rast që u zbardh nga policia në kuadër të operacionit “Kaseta”.
Sipas burimeve hetimore, gruaja e arrestuar, shtetasja M. Xh., dyshohet se kishte përgatitur skemën disa ditë përpara ngjarjes. Ajo kishte shkuar në ambientet e marketit dhe kishte arritur të vidhte çelësin e njërës prej kasetave ku klientët depozitojnë përkohësisht sendet personale.
Më pas, punonjësit e marketit kishin konstatuar mungesën e çelësit dhe kishin marrë masa duke e zëvendësuar atë me një kopje tjetër.
Ditën e ngjarjes, një klient, punonjës në një pikë këmbimi valutor, kishte vendosur në kasetë një çantë me 40 000 paund, duke përdorur çelësin e ri, kopje. Në të njëjtën kohë, e dyshuara ka shfrytëzuar çelësin origjinal të vjedhur më herët për të hapur kasetën dhe për të marrë shumën e konsiderueshme të parave, pa rënë menjëherë në sy.
Shuma e vjedhur u gjet më pas nga policia në ambientet e subjektit ku punonte e dyshuara dhe u sekuestrua si provë materiale, ndërsa ndaj saj rëndon akuza për vjedhje.


