I doli emri në dokumentet e dosjes “Epstein”, Bill Gates do të dëshmojë para Kongresit amerikan më 10 qershor

Bashkëthemeluesi i Microsoft, Bill Gates, pritet të dëshmojë më 10 qershor para një Komiteti të Kongresit amerikan që po heton skandalin e lidhur me Jeffrey Epstein.
Sipas raportimeve të Politico, dëshmia do të zhvillohet me dyer të mbyllura, ku Gates do të pyetet për marrëdhënien e tij me financierin e ndjerë, i cili u akuzua për krime seksuale ndaj të miturve dhe vdiq në burg përpara se të përballej me gjyqin.
Një zëdhënës i Gates bëri me dije se ai “mirëpret” mundësinë për të dëshmuar dhe për të bashkëpunuar me hetimin, duke theksuar se nuk ka pasur asnjë përfshirje në aktivitetet kriminale të Epstein.
Vetë Gates ka pranuar më herët se lidhja me Epstein ishte “një gabim i madh”, ndërsa ka mohuar çdo përfshirje në veprimtari të paligjshme.
Ai ka deklaruar gjithashtu se nuk ka parë apo qenë dëshmitar i ndonjë akti të paligjshëm gjatë kontakteve me të.
Hetimi i Kongresit synon të hedhë më shumë dritë mbi rrjetin e marrëdhënieve të Epstein dhe lidhjet e tij me figura të njohura, ndërsa dëshmia e Gates pritet të jetë një nga momentet kyçe të këtij procesi.


