Sulmi me bombë në Bankën Amerikane në Paris, tre të arrestuar

Tre persona janë arrestuar lidhur me një sulm të dyshuar të dështuar me bombë në selinë e Bankës së Amerikës në Paris, njoftoi zyra e prokurorit të anti-terrorizmit të Francës.
I dyshuari i parë u arrestua në vendngjarje pasi vendosi një pajisje që përmbante pesë litra lëng, i dyshuar si karburant, dhe një sistem ndezjeje afër bankës, sipas një burimi të policisë, siç raporton AFP.
Të dielën, shërbimet franceze të sigurisë thanë se dy persona të tjerë ishin arrestuar lidhur me këtë ngjarje, që ndodhi rreth orës 03:30 të shtunën në zonën 8 të Parisit, pak larg sheshit të njohur si Champs-Élysées.
Ministri i Brendshëm i Francës, Laurent Nunez, tha se sulmi i dështuar mund të lidhet me luftën SHBA-Izrael ndaj Iranit.
“Ka dyshime të forta për një lidhje me këtë konflikt, ku mund të ketë shërbime iraniane që realizojnë veprime të tilla”, tha ai. “Ka dyshime të konsiderueshme, por hetimi do e përcaktojë”.
Ambasada iraniane në Francë nuk ka dhënë asnjë koment në lidhje me deklaratat e Nunez.
I dyshuari i parë, i cili u arrestua në vendngjarje, ishte i shoqëruar nga një person tjetër, që dukej se po bënte foto dhe video me një telefon celular, por që iku kur mbërritën oficerët.
“Dy individë të tjerë janë arrestuar natën e kaluar si pjesë e hetimit të nisur më 28 mars 2026 lidhur me veprat e kryera kundër Bankës së Amerikës”, tha zyra e prokurorit të anti-terrorizmit të dielën. I dyshuari i pare është i mitur. Sipas ligjit francez, të dyshuarit në raste terrorizmi mund të mbahen në paraburgim deri në 96 orë. Ky periudhë mund të zgjatet nga gjykata.
Nuñez pretendoi se sulme të ngjashme janë shmangur edhe në shtete të tjera evropiane, përfshirë Francën, Holandën, Britaninë e Madhe dhe Norvegjinë. Ai i bëri thirrje shërbimeve të sigurisë që të jenë jashtëzakonisht vigjilente dhe të rrisin praninë e tyre në qendrat e transportit dhe vendet e tjera të frekuentuara në të gjithë vendin.
Zyra e prokurorit të anti-terrorizmit të Francës tha se kishte marrë menjëherë drejtimin e hetimit. Policia gjyqësore e Parisit dhe Shërbimi i Sigurisë së Brendshme të Francës janë gjithashtu të angazhuar në hetim, sipas zyres së prokurorit të anti-terrorizmit.


