Jeta e tij në rrezik? Djali i Netanyahut evakuohet urgjentisht nga SHBA

Bota

Jeta e tij në rrezik? Djali i Netanyahut evakuohet urgjentisht nga SHBA

Yair Netanyahu, djali i madh i kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, është larguar me urgjencë nga Shtetet e Bashkuara dhe është kthyer në Izrael, pasi  shërbimi i inteligjencës së brendshme, Shin Bet identifikoi një kërcënim serioz ndaj jetës së tij.

Pas vlerësimit të situatës, autoritetet izraelite vendosën evakuimin e tij nga Florida së bashku me ekipin e sigurisë.

“Ka pasur një kërcënim të rëndësishëm për dëmtimin e Yair Netanyahut dhe, pas një vlerësimi, u vendos që ai të evakuohej urgjentisht së bashku me ekipin e tij të sigurisë dhe të kthehej në Izrael”, deklaroi Shin Bet.

Agjencia izraelite nuk bëri të ditur se nga kush apo nga ku kishte ardhur kërcënimi.

Mediat amerikane kanë raportuar se Yair Netanyahu mund të ketë qenë objektiv i një komploti të dyshuar për vrasje nga Irani në dhjetor të vitit të kaluar. Megjithatë, autoritetet izraelite nuk kanë konfirmuar se kërcënimi i fundit lidhet me Iranin.

Yair Netanyahu shoqërohej vazhdimisht nga një ekip sigurie izraelit. Sipas Newsmax, pas paralajmërimit ai u urdhërua të largohej menjëherë nga zona dhe u kthye në Izrael pa marrë me vete sendet personale.

Yair Netanyahu ka jetuar prej disa vitesh në Florida. Prania e tij atje ka shkaktuar debate në Izrael, veçanërisht për shkak të stilit të tij të jetesës dhe kostos së sigurisë së financuar nga shteti.

Qëndrimi i tij në Shtetet e Bashkuara pas sulmeve të 7 tetorit 2023 ka qenë gjithashtu objekt kritikash. Kundërshtarët e kanë akuzuar për një standard të dyfishtë, duke vënë në dukje se ai vazhdonte të jetonte jashtë vendit ndërsa qindra mijëra rezervistë izraelitë ishin mobilizuar pas shpërthimit të luftës.

Yair Netanyahu, një aktivist i krahut të djathtë, është mjaft aktiv në rrjetet sociale, ku shpesh komenton politikën izraelite dhe kritikon kundërshtarët politikë të babait të tij, kritikët e qeverisë dhe gazetarët.

ME TE LEXUARAT