Ministri i Jashtëm iranian: Britania e Madhe rrezikon të shihet si palë në konflikt

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, i ka thënë homologes së tij britanike, Yvette Cooper, gjatë një bisede telefonike se çdo përdorim i bazave britanike nga Shtetet e Bashkuara do të konsiderohet si pjesëmarrje në agresion kundër Republikës Islamike të Iranit.
Nuk është bërë e ditur se kur saktësisht është zhvilluar kjo bisedë.
“Këto veprime pa dyshim do të konsiderohen si pjesëmarrje në agresion dhe do të regjistrohen në historinë e marrëdhënieve mes dy vendeve”, ka deklaruar Araghchi në një njoftim të publikuar të premten nga Ministria e Jashtme e Iranit.
Britania e Madhe nuk i ka lejuar SHBA-së përdorimin e bazave të saj për sulmet fillestare ofensive kundër Iranit, por më vonë ka dhënë leje që ato të përdoren për veprime mbrojtëse ndaj sulmeve me raketa iraniane.
Nga Downing Street është deklaruar: “Ne nuk kemi marrë pjesë në sulmet fillestare dhe nuk do të përfshihemi në një luftë më të gjerë.”
Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump e ka kritikuar disa herë ashpër Britaninë e Madhe për faktin se nuk është përfshirë më shumë në konflikt./ORA


